Thaçi nuk po bën asgje për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Kosova

Thaçi nuk po bën asgje për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Më: 16 janar 2013 Në ora: 15:16

Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar bisedimin e çështjes s veriut në Bruksel me kryeministrin serb Daçiq.
Deputeti Liburn Aliu, ka thënë se Thaçi po shkon n Bruksel pa pasur temë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj.
“Prej vitesh Prishtina i heshti ata në emër të veriut të Kosovës, prej vitesh Prishtina i la ata të shpresonin se nëse do të hapej çështja e veriut do të ishte momenti për ta. Dhe shpresa e tillë i bëri ata të jenë të qetë edhe përkundër dhunës që u ushtrua mbi ta. Çdo “raund” i negociatave për ta ishte shpresë se mos Prishtina do ngrinte zërin për ta dhe “raundet” shkonin e vinin e gjendja atje nuk ndryshonte. Të pandryshueshme mbetën shtrëngimet e duarve në negociata, dhe njëkohësisht e pandryshueshme mbetej dhuna mbi popullsinë shqiptare atje. Ndryshonte vetëm struktura e popullsisë. Çdo herë shqiptarë më pak” tha Aliu.
Aliu ka kërkuar që negociatat me Beogradin të kushtëzohen plotësimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, duhet të jenë kusht për negociata dhe jo temë në negociata. E në këto negociatat e radhës ato madje nuk do të jenë as temë. Thaçi ka prezantuar listën e synimeve në negociatat e radhës dhe në këtë listë asgjëkund nuk shihen as të përmendura të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës,. Dhe këtë listë synimesh, ia pranuan edhe liderët e tjerë të partive politike në Kosovë në takimin e fundit”, theksoi Aliu.
Ndërkohë nënkryetari Shpend Ahmeti ka krahasuar rezolutën e Serbisë dhe dokumentit të Republikës së Kosovës. Sipas Ahmetit, Thaçi po i legalizon strukturat ilegale.
“Serbia po kërkon heqjen e institucioneve paralele në Kosovë duke larguar institucionet e Kosovës nga ato komuna. Thaçi do t’ia mundësojë këtë duke hequr fjalën ilegale nga strukturat ilegale. Pra, ato struktura të Serbisë do të mbesin por do të legalizohen në emër të pakos së Ahtisarit. Nga Thaçi, Ashton, dhe Daçiç, vetëm Thaçi mendon se organizimi i brendshëm nuk do të jetë temë. Së paku deklarativisht, sepse jemi të vetëdijshëm se ai e din shumë mirë se çka do të diskutohet atje. Thaçi, Ashton dhe Daçiç, të gjithë e dinë se Lugina e Preshevës nuk do të diskutohet”, tha Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat