Musliu: Lapidari i UÇPMB-së nuk do të lëvizet

Kosova

Musliu: Lapidari i UÇPMB-së nuk do të lëvizet

Më: 19 janar 2013 Në ora: 22:42

Lajmin e transmetuar nga mediat serbe, të cilat duke ju referuar “burimeve” të OVL të UÇPMB-së, kanë thënë se gjoja qenka afër një marrëveshje për zhvendosjen e lapidarit tek xhamia apo oborri i shtëpisë së kulturës, e ka demantuar Jonuz Musliu, lideri i PLD-së dhe ish-drejtor politik i UÇPMB-së, duke i quajtur këto vetëm spekulime.
“Deri në këto momente nuk ka kurrfarë vendimi të subjekteve shqiptare në Luginë rreth përmendores së UÇPMB-së dhe ato çfarë shkruajnë mediat serbe se përmendorja e UÇPMB-së do të zhvendoset, herë te xhamia e herë te shtëpia e kulturës, janë vetëm spekulime”, ka deklaruar i LPD-së për “Presheva jonë”.

Ai ka thënë se nuk ka negociata e pazar me gjakun e dëshmorëve.

“Kjo nuk na lejohet as neve liderëve politikë, as ndokujt nga OVL e UÇPMB-së që të shkelë mbi gjakun e dëshmorëve tonë. Nuk na lejohet kthimi mbrapa pas vendimeve të tre kuvendeve, ku të gjithë përfaqësuesit e politikë dhe të shoqatave i kemi hedhur firmat. Pas konkluzioneve të tre kuvendeve shqiptare kemi edhe legalizimin e lapidarit nga ana e Kuvendit të Preshevës. Prandaj, nuk është e vërtetë se ne kemi lëshuar pe, apo kemi ndërruar mendjen. Dihen qartë qëndrimet tona, ndryshe çdo lakim nga vendimet e tre kuvendeve dhe Kuvendit të fundit të Preshevës është tradhti e dyfishtë, ndaj institucioneve tona dhe dëshmorëve tanë”, ka thënë Musliu.

Lapidari zhvendoset te xhamia ose Pallati i Kulturës?

Mediat serbe kanë raportuar se në takimin e mbajtur ndërmjet dy organizatave të veteranëve të UÇPMB-së, me kërkesë të Kosovës dhe Shqipërisë, është vendosur që të propozohet zhvendosja e lapidarit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës në oborrin e xhamisë ose në atë të Pallatit të Kulturës.
Pritet që pas këtij takimi për këtë vendim të njoftohet Qeveria e Serbisë dhe nga ajo të kërkohen disa ditë kohë për implementimin teknik të këtij vendimi.

Për nesër në ora 11 është caktuar të mbahet takimi i liderëve të gjashtë partive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në të cilin do të paraqitet ky vendim.
Ndërkaq, nesër pritet të takohen edhe një herë udhëheqësit e Luginës që të merret një vendim përfundimtar.

>> Mediet serbe: Xhandarmeria ja mësyn Kosovës Lindore >> Komente (60)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat