Pazaret e Thaçit çuan në heqjen e lapidarit të Luginës

Kosova

Pazaret e Thaçit çuan në heqjen e lapidarit të Luginës

Më: 20 janar 2013 Në ora: 23:04

Vetëm tri ditë pas takimit të zëdhënësit të Milosheviqit, Daçiq si dhe Kryeministrit Thaçi, xhandarmeria serbe filloi aksionin për largimin e lapidarit për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Ashtu siç edhe ishte kërcënuar, kryeministri serb, dhe njëherazi edhe ministër i punëve të brendshme e shef i xhandarmerisë realizoi premtimin e tij për largimin e lapidarit.

Në anën tjetër, ashtu siç edhe kishte pranuar koncesionet, Kryeministri Thaçi reagoi me një komunikatë të dobët për media. Ngjashëm edhe Tirana zyrtare u mjaftua me deklarata konstatuese.

Në mungesë të veprimeve shtetërore të Kosovës, në media dhe rrjete sociale kanë qarkulluar thirrje të ndryshme për revanshizëm në caqe të ndryshme brenda Kosovës. Përderisa zemërimi është i kuptueshëm, çfarëdo revanshizmi nuk e përmirëson situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe e dobëson pozicionin e Kosovës. Ky zemërim duhet të shndërrohet në trysni ndaj përgjegjësit kryesorë në Kosovë, qeverisë Thaçi.

Akti i Daçiqit, Nikoliqit e Vuçiqit nuk është befasi për Lëvizjen VETËVENDOSJE! Në fakt, nuk ka kurrfarë arsye racionale të pritej që pasardhësit e Millosheviqit e Sheshelit të veprojnë ndryshe. Të vetmit që kanë pritur diçka tjetër janë partnerët negociator të Daqiqit në qeverinë e Kosovës.

Por ajo çka është joracionale tani është vazhdimi i procesit negociator. Kundërpërgjigja shtetërore dhe reciproke e Kosovës do të ishte

1. Ndërprerja e menjëhershme e procesit negociator të Kosovës me Serbinë
2. Kthimi i rezolutës së Kuvendit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë që menjëherë do të sillte tek ndalimi i mallrave serbe në Kosovë
3. Shtimi i veprimeve për shtrirjen e sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.


Popullata shqiptare në luginën e Preshevës duhet të fillojë protestat paqësore e gjithpopullore për të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Populli shqiptar në të gjitha trevat tjera shqiptare duhet të solidarizohet me popullin e Luginës. Presioni qytetar duhet të shtohet drejt qeverive në Tiranë e Prishtinë për ti mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë e veprime konkrete institucionale, materiale e financiare.

Lëvizja VETËVENDOSJE përkrah kërkesat nga platforma politike e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të miratuar nga këshilltarët komunal të këtyre tri komunave dhe e rikonfirmuar disa herë si dhe kërkesën për kthimin e lapidarit. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat