​Antibiotikët pa recetë, qytetarët: Më dobi na bëjnë ata, se kur na i përshkruan mjeku

Kosova

​Antibiotikët pa recetë, qytetarët: Më dobi na bëjnë ata, se kur na i përshkruan mjeku

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 17:45
Foto ilustrim

Pavarësisht se blerja e antibiotikëve pa përshkrim të mjekut është e ndaluar, qytetarët vazhdon të kërkon nëpër barnatore “Amoxicillin” e lloje të tjera të tyre. Ata thonë se ‘nuk kanë kohë” të shkojnë te mjeku për vizitë, por drejtohen në farmaci për t’i blerë ato.

Përdorimi i barnave pa rekomandim të mjekut, vlerësohet se shkakton dëme të shumta në organizëm. Për kundër kësaj, në disa barnatore mund të blesh antibiotikë vetëm duke iu treguar një fotografi të ilaçit apo duke e shqiptuar emrin e tij.

Në Ditën Evropiane të Vetëdijesimit për Antibiotikë, për KP, specialistja e mjekësisë familjare në QKMF, Nesrije Paçarada tregoi se marrja e antibiotikëve në mënyrë jo adekuate mund të shkaktojë dhimbje barku, vjellje, kruajtje, alergji, zënie të frymëmarrjes dhe dëme të tjera.

Ajo potencoi se nga rreth 60 pacientë sa vizitohen tek ajo brenda ditës, afro 10 prej tyre kanë nevojë për t’iu përshkuar antibiotikë.

Paçarada shtoi se ndonjëherë për shkak të kohës së kufizuar për ekzaminim të detajuar nga vetë doktorët dhe kërkesa e pacientëve që të trajtohen me ilaç të tillë, ndikon në përdorimin e tyre më të shpeshtë dhe më të pa kontrolluar.

Paçarada: Antibiotikët mund të shkaktojnë dhimbje barku, vjellje, alergji

"Gjatë praktikimit tonë të përditshme duke e marrë parasysh që kemi një vëllim të madh të pacientëve, mund ta marrim mesatarisht deri në 50-60 pacientë në ditë, ndoshta edhe ne si mjekë, për shkak të pamundësisë së kohës për ekzaminim të detajuar...Në qoftë se ti ankohesh për dhimbje fyti duhet bëhet strishën e fytit, duhet të bëhen analiza, në bazë të atyre rezultateve të vendosen për antibiotikë adekuatë...Edhe i kemi disa pacientë kur përtojnë ose ankohen nuk kanë kohë, nuk vinë të kontrollohen nuk i bëjnë analizat e duhura dhe shkojnë drejtpërdrejt në barnatore dhe furnizohen me antibiotikë...Antibiotiku më i shpeshtë që unë e përshkruaj është Amosikcilin, që është ndër antibiotikët më të butë...Nëse i marrim që i kemi 60 pacientë mund të them që 10 prej tyre shkojnë me antibiotik...Veprimet e dëmshme të antibiotikëve nga mënyra për shkak të marrjes jo të mirë të tyre mund të shkaktojë dëme siç mund të jenë dhimbje barku, vjelle, diarre, kruajtje, alergji, zënie të frymëmarrjes”, tha Paçarada.

Specialistja e mjekësisë familjare, Nesrije Paçarada thotë se antibiotikët nuk janë të domosdoshëm të përdoren në çdo rast, derisa potencoi se pacientët mund të trajtohen kur kanë infeksione të rënda, sikurse janë ato në mushkëri, organe të tretjes, veshkave e të tjera.

Paçarada: Përdorimi jo i kontrolluar i antibiotikëve shkakton dëme në organizëm

"Përdorimi jo i kontrolluar i antibiotikëve shkakton dëme në organizëm, nuk kemi dobi nga përdorimi jo i rregullt i antibiotikëve. Për shkak se antibiotiku gjithmonë e ka një spektër të veprimit që do ta luftojë një baktere të caktuar. Në qoftë se nuk kemi të bëjmë më atë baktere kur atëherë veç e merr kot dhe e shkatërron florën normale bakteriale...Normal në organizmin tonë janë bakteret e mira të cilat janë të domosdoshme për funksionimin normal të indeve qelizave, organeve në përgjithësi... Antibiotikët është në grup i barnave me një spektër të gjerë të veprimit, të cilët ne i përdorim gjatë shërimit të pacientëve, duke pasur kujdes maksimal në përshkrimin e dozave dhe mënyrës së përdorimit. Antibiotikët, patjetër, duhet të përdoren kur kemi infeksione të rënda në organizëm, infeksion në mushkëri, infeksionet e organeve të tretjes, të veshkave dhe infeksionet të ndryshme”, theksoi Paçarada.

Ndërkaq, qytetarët shprehen se blejnë antibiotikë nëpër barnatore edhe pa recetë të mjekut, madje thonë se “më mirë” po iu bëjnë ato që po ua rekomandojnë farmacistët se ato që po ua përshkruajnë mjekët.

Qytetari Bajram Demaj thotë se të paktën një herë në muaj e blen një antibiotik në barnatore pa përshkrim të mjekut. Ai potencoi se ndonjëherë barnatoret hezitojnë t’ia japin pa recetë, por shumicën e rasteve nuk ka vështirësi në këtë aspekt.

Demaj: Një herë në muaj blej antibiotik pa recetë

"Për vete, i blej si jo. Të shkosh vetëm te mjeku për një recetë vonon me orë e minuta. Po i blej, po i japin, disa vende po e kërkojnë recetën e nuk po m’i japin, por shumica e barnatoreve i japin...Është gabim, duhet ta rekomandojë mjeku për antibiotikë dhe barna të tjera, por si Kosovë që jemi, ata kanë merak vetëm si t'i shesin dhe të fitojnë lekë, mirë nuk është...Jo shumë shpesh, po një herë në muaj po", tha Demaj.

Edhe Nazmi Abdullahu thotë se ka blerë antibiotikë e barna të tjera pa përshkrim të mjekut, derisa potencoi se më të dobishme janë ato që u sugjerohen në barnatore, sesa kur përshkruhen nga vetë mjekët.

Abdullahu: Kam blerë yndyrë pa recetë

"Po qysh jo, antibiotikë. Ndonjëherë rrallë se shpesh nuk kam blerë...Unë kam marrë, më dhimbshin këmbët. Mora yndyrë në Podujevë pa recetë hiç, më mirë më bëri ai, se do që ma përshkruanin mjekët", tha Abdullahu.

Për të konfirmuar këtë, ekipi i KosovaPress ka kërkuar në disa barnatore për të blerë antibiotikun “Levofloxacin 500 mg” pa përshkrim të mjekut, të njëjtit u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së tyre.

Ndërsa, farmacisti në një barnatore tjetër, Arbnor Alidema, thotë për KosovaPress se pacientët janë vetëdijesuar dhe më nuk po kërkojnë antibiotikë pa përshkrim të mjekut. Ai shtoi se pacientët me kërkesa të tilla janë shumë të rrallë, dhe të njëjtëve iu refuzohet nga kjo barnatore për t’u ofruar një gjë të tillë.

Sipas tij, farmacistët kanë të drejtë vetëm t’i ekzekutojnë recetat dhe jo t’i përshkruajnë ato.

Alidema: Farmacisti ka të drejtë vetëm të ekzekutojë recetën

"Viteve të fundit, vetëdija e qytetarëve është rritur shumë, kryesisht pacientët, jo kryesisht, por shumica shkojnë te mjeku dhe pa recetë nuk marrin antibiotikë. Mund të them se 95 deri në 99 për qind nuk marrin pa recetë. A ka raste? Shumë të rralla, ose nëse ka raste e kanë të fotografuar recetën ose kanë harruar në veturë ose në shtëpi e duan ta blejnë tjetrën...Kryesisht penicilinat, antibiotikët që më së shumti po shkojnë janë penicilinat.... A po mendon që është në rregull nëse një barnatore i ofron pacientit një antibiotik pa recetë të mjekut? Farmacisti ka të drejtë vetëm të ekzekutojë recetën, ne nuk jemi për t’i ordinuar barnat. Mjekët i shkruajnë, ne i ekzekutojmë", theksoi Alidema.

Fjala “antibiotik” do të thotë “kundër jetës” dhe në rastin specifik të mjekimit, funksioni që kryen është vrasja e baktereve që përbëjnë dhe përhapin infeksionin në organizëm.

Ndryshe, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) bashkë me autoritetet shëndetësore të të gjitha vendeve evropiane, ka iniciuar nismën Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikët, që shënohet çdo vit më datën 18 nëntor.

Kjo nismë u shënua disa herë në Kosovë, por jo edhe në këtë vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat