​Rreth 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara janë jashtë sistemit arsimor

Kosova

​Rreth 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara janë jashtë sistemit arsimor

Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK) ka ngritur shqetësimin mbi gjendjen e kësaj kategorie për shkak të mos miratimit të projektligjit për vlerësimin, njohjen e statutit, përfitimet dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara.

Kërkesat e Forumit ishin që personave me aftësi të kufizuara t’iu garantohet shkollimi, të gëzojnë shërbime terapeutike, vend të sigurt pune, pasi ligji që garanton punësimin e tyre nuk po gjen zbatim.

Drejtoresha e organizatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri, tha se në raportin e progresit për Kosovën 2023, ngrihet shqetësimi lidhur me faktin se 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara nuk janë të përfshirë në sistemin arsimor.

Beqiri: 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara janë jashtë sistemit arsimor

“Edhe pse institucionet e vendit kanë ndërmarrë hapa këtë dekadën e fundit, iniciativa për përmirësimin e mirëqenies të personave me aftësi të kufizuar, të drejtat ende nuk realizohen në tërësi, dhe gjithashtu kemi edhe mos respektim të të drejtave, në theks të veçantë po iu referohem fëmijëve me aftësi të kufizuar. Tash, së fundi, ne pranuam edhe raportin e progresit, ku ky raport paraqet që rreth 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuar janë jashtë sistemit arsimor, ndërsa në anën tjetër kemi ligje që garantojnë arsimimin e fëmijëve me aftësi...Gjithashtu, vazhdon të mbetet mjaft sfiduese sigurimi i shërbimeve terapeutike mbështetëse, shërbime të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e potencialit të fëmijëve me aftësi të kufizuara,” tha Beqiri.

Beqiri tha se edhe pse në Kosovë ekziston ligji që garanton punësimin e personave me aftësi të kufizuar, ky ligj ende nuk po gjen zbatim të plotë në institucione.

Beqiri: Institucionet s’po e zbatojnë ligjin e punësimit të personave me aftësi të kufizuar

“Edhe pse në Kosovë ekziston ligji që mundëson apo garanton punësimin e personave me aftësi të kufizuara, ende ky ligj nuk ka gjetur zbatim të plotë në terren, duke filluar nga institucionet publike. Në bazë të të dhënave që kemi nga terreni, institucionet publike janë të parat që nuk zbatojnë këtë ligj, sepse ky ligj obligon që çdo institucion publik apo privat që ka të punësuar 50 punëtorë, punëtori i 51-të duhet të jetë person me aftësi të kufizuar,” u shpreh ajo.

Edhe drejtori ekzekutiv i FKAK-së, Bujar Kadriu, kërkoi zbatimin e ligjeve për personat me aftësi të kufizuara.

Kadriu: Ky ligj ende s’ka një rrugë të drejtë që synojmë ta arrijmë

“Qe nga viti 2016, ne kemi filluar një inicim të një ligji, i cili do të përmirësonte infrastrukturën aktuale ligjore, të krijojë një barazi prej përfitimeve dhe shërbimeve të cilat kanë grupet e aftësisë së kufizuar. Ky ligj tashmë ende nuk ka një rrugë të drejtë asaj që ne synojmë ta arrijmë... Ky projektligj do të rregullonte standardin e jetesës duke e kuptuar që ne e dimë çfarë është dhe padyshim që ky standard duhet të ketë një përmirësim legjislativ, i cili është me interes publik,” tha Kadriu.

Drejtori ekzekutiv i Handicap Kosova, Ajhan Sahaqi, tha se personat me aftësi të kufizuar kanë nevojë për shërbime psiko-terapeutike, fizioterapi dhe mjete financiare që mungojnë nga shteti.

Sahaqi: Ka nevojë për shërbime psiko-terapeutike dhe fizioterapi

“Ka nevojë për shërbime psiko-terapeutike, fizioterapi dhe shërbime tjera që mungojnë nga shteti, por për fat të mirë janë organizatat tona joqeveritare që iu ofrojnë shërbime personave, por është edhe mungesa e mjeteve financiare, të cilat mungojnë për të bërë edhe më shumë shërbime,” theksoi ai.

Ndryshe, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar promovohet pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha aspektet e shoqërisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat