Dëshmitarët tregojnë si e kuptuan se ortopedi tani i akuzuar ishte kryetar i komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit

Kosova

Dëshmitarët tregojnë si e kuptuan se ortopedi tani i akuzuar ishte kryetar i komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 17:16
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë dëgjuar dëshmitarët Luan Jaha, Gentian Morina, Mevrie Berisha, Florije Shunjaku dhe Ilir Miftari, në gjykimin ku ortopedi Sabit Sllamniku, po akuzohet se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit. Ata treguan se si e kuptuan që Sllamniku ishte kryetar i komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit

Fillimisht, dëshmitari Luan Jaha ka sqaruar se për të qenë anëtar i komisionit të grupit të ekspertëve për të shqyrtuar ankesën e pacientit, ishte kontaktuar nga kryetari i komisionit dhe tha se kishin caktuar edhe vizitën në Klinikën e Ortopedisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, këto ekzaminime kryhen zakonisht gjatë orarit të punës dhe se lidhur me këto ekspertiza, tha se nuk është paguar asnjëherë në rastet kur është emëruar përmes drejtorit.

Ai tha se kishte kuptuar se i akuzuari Sllamniku kishte qenë kryetar i komisionit, pasi që dokumentacioni i plotë i dërgohet gjithnjë vetëm kryetarit dhe se zakonisht në vendim rendititet si i pari në listë.

Kurse, dëshmitari Gentian Morina në cilësinë e ortopedit në QKUK, ka sqaruar se ai ka qenë anëtar i komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit të F.K., bashkë me Dr.Ilir Miftarin si anëtar dhe me të akuzuarin Sllamnikun si kryetar i komisionit.

Ai tha se për cilësinë e tij si anëtar i komisionit ishte njoftuar nga zyra ligjore pranë ShSKUK-së. Kurse, ka mohuar të kenë diskutuar mënyrën e pagesës para apo pas ekzaminimit të pacientit, duke shtuar se pagesa ishte bërë gjithmonë nga pala që ka kërkuar mendimin për vlerësim.

I pyetur se a kishte pranuar shumën prej 100 euro në llogarinë e tij nga pala F.K., përmes djalit të saj, dëshmitari Morina ka pohuar, duke shtuar se nuk e di nga kush është bërë pagesa, nga pala apo nga zyra ligjore.

Ai tha se për të akuzuarin Sllamniku kishte kuptuar se ka qenë kryetar i komisionit pasi që emri i kryetarit është gjithmonë i pari.

“Nuk shkruan, po gjithmonë është i pari”, ka thënë Morina.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Mevrie Berisha, në cilësinë e shefes së zyrës ligjore në QKUK, e cila tha se si detyra kryesore kanë menaxhimin e zyrës ligjore, përfaqësimet në gjykatë, përpilimin e vendimeve dhe akteve të ndryshme nga ana e menaxhmentit.

Ajo ka sqaruar procedurën e kërkesave për caktimin e ekspertizave, duke thënë se zyra ligjore përgatit shkresën përcjellëse duke iu drejtuar klinikës përkatëse për caktimin e një specialisti të klinikës së bashku me vendimin e gjykatës, e që më pas drejtorat e klinikave i dërgojnë emrat e mjekëve specialistë.

Ajo tha se kryetari i komisionit në vendim shkruhet gjithnjë i pari dhe se i njëjti ka për obligim ta pranojë lëndën, ta thërras komisionit, të organizojë kryerjen e atij vendimi dhe ta kthejë lëndën në zyrë ligjore për ta përcjellë në gjykatë.

Më pas, dëshmitarja e radhës Florije Shunjaku ka deklaruar se ajo ka qenë e angazhuar më herët vetëm një herë si anëtare e komisionit për dhënien e mendimit për kryerjen e një ekspertize bashkë me të akuzuarin Sllamniku. Sipas saj, me udhër të gjykatës pala kishte dërguar kërkesë në ShSKUK dhe janë përzgjedhur nga drejtori tre ekspertë për atë lëndë.

Ajo tha se fillimisht i akuzuari Sllamniku ia kishte kërkuar numrin e xhirollogarisë, e më pas ishte telefonuar nga i njëjti, i cili i kishte thënë se pala i kishte lënë paratë për pagesë pasi që për shkak të moshës nuk ka pasur mundësi t’i deponojë në xhirollogari.Më pas, ajo tha se kishte shkuar në bankë kishte deponuar 100 euro dhe kishte dërguar dëshminë për gjykatë.

Tutje, sesioni i pasditës ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ilir Miftari, i cili ka pohuar se kishte marrë pjesë si anëtar i komisionit për të bërë ekspertizë mjekësore dhe për të dhënë mendim profesional lidhur me shkallën e paaftësisë për F.K.

Ai tha se kryetar i këtij komisioni kishte qenë Sabit Sllamniku, kurse anëtar Gent Morina. Ndërsa, tha se nga Sllamniku ishte informuar për rastin dhe për natyrën e sëmundjes së pacientes.

Miftari tha se mënyra e pagesës ka qenë e speicifkuar në vendim të gjykatës, por që nuk ishte marrë me atë pjesë. Ai ka shtuar se atë ditë me kërkesë të kryetarit të komisionit, kishte shkruar edhe numrin e xhirollogarisë në një fletë.

Sipas tij, në raste të tjera ku ka marrë pjesë si anëtar apo kryetar, ka dalluar mënyra e pagesës pasi që në disa raste gjyqtari obligon palën, e në disa të tjera obligohet gjykata.

Ai tha se nga Dr.Morina ishte njoftuar se Sllamniku është kryetar i komisionit.

“E pastaj, kur kam shku në zyre aty e kam pa dosjen që me vendim gjykatës ka qenë i caktum”, ka thënë ai.

Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Sllamniku, avokati Driton Muharremi ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen drejtori i personelit të ShSKUK-së, Skender Shabani dhe drejtori financiar, Sherif Bytyqi.

Prokurorja Merita Lumezi nuk pati kundërshtime, kurse trupi gjykues ka refuzuar propozimin për dëgjimin e dëshmitarit Skender Shabani, ndërsa ka aprovuar propozimin për dëgjimin e dëshmtiarit Bytyqi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzës ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari E.S., në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.

Sipas aktit akuzues, më 13 korrik 2021 në ora 08:30 gjatë zbatimit të masës së fshehtë teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i pandehuri ka pranuar shumën prej 100 euro nga i dëmtuari.

Me këtë, Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par. 1. të KPRK-së.

Tutje, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, më 11 qershor 2021 nga e dëmtuara F.K., në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës F.K., në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës F.K, përkatësisht F.K (djalit), i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga nenin 414, par.1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat