Hamit (Demir) Çubreli piloti e parashutisti i parë shqiptar që sfidoi pushtetin komunist, që mbijetoi shumë peripeci, por që ruajti dinjitetin dhe traditën shqiptare

Kosova

Hamit (Demir) Çubreli piloti e parashutisti i parë shqiptar që sfidoi pushtetin komunist, që mbijetoi shumë peripeci, por që ruajti dinjitetin dhe traditën shqiptare

Nga: F. Beka Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 19:04
Hamit (Demir) Çubreli

Pak-kush e di se Mitrovica përveç që njihet si qytet i artit, kulturës e sportit, njihet edhe si avangardë ose pikënisje në shumë fusha të jetës, padyshim një fushë e tillë është pilotimi dhe parashutizmi që doemos ndërlidhen edhe me pista ngritje e lëshimi të aeroplanëve të vegjël dhe atyre bujqësor.

Mitrovicasit e vjetër me siguri mbajnë mend dy pista të tilla fluturimi për aeroplanë të vegjël edhe bujqësor, njëri ndodhej në hapësirën nga Qendra Spitalore në Bair deri tek ish fabrika e duhanit, ndërsa tjetra pistë ajo kryesore ishte në pjesën e fidanishtes, atje ku tash ndodhen objektet sportive, fusha me bar sintetik deri te stadiumi olimpik Adem Jashari.

Fakti se qyteti ynë ka pasur dy pista të tilla fluturimi ka rezultuar edhe me nevojën që të ketë personel mbikëqyrës , pilot dhe parashutistë, andaj pikërisht për njërin prej tyre, që mbase mund të jetë ndër pilotët e parë edhe parashutistët shqiptar do sjellim historinë e tij të dhembshme, preokupimet, problemet dhe jetën e tij.

Njëri ndër pilotët e parë në Kosovë dhe Mitrovicë është Hamit Demir Çubreli i lindur me 1 shkurt 1930 në Mitrovicë, ku banonin, pas shpërnguljes nga fshati drenicak Çubrel. Familja Çubreli edhe asokohe edhe tash njihet si familje e madhe, atdhetare dhe kontribuuese ndër vite, Hamiti ishte djali i Demirit, jetonin në lagjen e njohur mitrovicase “Gorimahalla”, në vështirësi të kohës, në sfidat e jetës pas luftës së dytë botërore, sikur shumica e shqiptarëve.

Hamiti shkollën fillore të asaj kohe e ka ndjek në objektin ku sot ndodhet shkolla fillore “Andon Zako Çajupi”, ku ishte ndër më të mirët, ndërsa fal konstruktit fizik njihej edhe si sportist, merrej me futboll në Klubin “Mlladost”, fusha e të cilës ndodhej tek lagjja “2 Korriku” tek Sitnica në Mitrovicë.

Hamiti ndonëse ende çun i ri ende i papjekur, kishte dashuri për fluturim edhe lëshime me parashutë, duke u bërë pjesë e aero-klubit “Mitrovica” në vitin 1947-1948, ku edhe bëri lëshimin e parë me parashutë nga fluturaket (aeroplanët) e asaj kohe “Jedrelica”, si parashutisti i parë shqiptar, ndërkohë që më pas Mitrovica ka pasur edhe disa parashutistë tjerë meshkuj edhe femra.

Lëshimin e parë me parashutë Hamit Çubreli e ka bërë mes viteve 1948-1949 në pistën tek fidanishtja me fluturaken “Jedrelica” aeroplan këta të vegjël, toka ku ishte ndërtuar pista i ishte konfiskua familjes Nallbani dhe u shndërruar në Kooperativë bujqësore përkatësisht fidanishte.

Dashuria për aeroplan dhe lëshime e kishin orientuar Hamitin si kadet ushtarak në fushën e aviacionit, gjatë shërbimit në Sombor, ku edhe u aftësua për pilotim si një ndër më të mirët, ndërsa pas përfundimit të shërbimit ishte oficer rezervë dhe pilot në aeroplanët bujqësor të asaj kohe.

Bazuar në ato që kujtojnë familjarët, ai edhe gjatë shkollimit si kadet i aviacionit por edhe pastaj në drejtimin e aeroplanëve bujqësor, ka kryer mijëra orë fluturimi e pilotimi dhe qindra hedhje me parashutë, edhe pse si shumë shqiptar në ushtri, ka përjetuar situata të rënda nga më të ndryshme, por fal traditës familjare e kombëtare, ka ruajtur dinjitetin dhe ka dal faqebardhë në shumë sfida.

Njëra ndër vështirësitë më të mëdha ishte kur, gjatë shërbimit ushtarak në roje qëllon dy persona, po ashtu ushtarë të cilët nuk kishin përfill urdhrin dhe kërkesën për ndalim, pas të cilës ai burgoset dhe maltretohet në forma e mënyra të ndryshme, veprim ky i kryer në vetëmbrojtje, që nuk ishte lehtë të dëshmohet, por fal Zotit drejtësia vihet në vend dhe ai lirohet, fal edhe dëshmisë së disa kolegëve të tij ndër ta dy shqiptar e një serb edhe një malazez.

Pas rastit ai u dërgua në burgun ushtarak në Zemun, ku për shumë kohë u maltretua edhe në mënyrë fizike edhe psikike, por pas dëshmive nga Latif Morina nga Shipoli dhe Muharrem Matarova (Hani i Dilit) në Prishtinë dhe serbit Açimoviç Prodan nga Lloznica dhe malazezot Kragoviç Buba që ishte mitrovicas, pa harruar edhe mbështetjen e Rasim Qerkezit, që kishte qenë pjesë e partizanëve edhe komunistëve të kohës.

Familja kishte heq shumë për të mbështetur pafajësinë e djalit të vetë, duke shitur shumë pasuri e duke paguar shuma të mëdha të parave dhe pas problemeve shëndetësore e të gjitha këtyre vuajtjeve ai lirohet me vendimin se vrasjet ishin vetëmbrojtje.

Hamiti pas kthimit nga ushtria ka punuar në pakun fluturues në Mitrovicë deri në mbylljen përkatësisht krijimin e pistës së re në Milloshevë në shërbim të fluturakeve bujqësore, ndërsa më pas ka punuar edhe në Sllatinë në aeroportin e vetëm deri atëherë në Kosovë, afër Prishtinës.

Hamit Demir Çubreli la kryer qindra orë fluturime me aeroplanë të vegjël dhe ka pasur mbi 60 hedhje me parashutë vetëm në pistat në Mitrovicë, pa llogaritur dhjetëra e qindra të tilla gjatë trajnimit në shërbimin ushtarak, ndër emrat tjerë si pilot që ai ka përmendur shpesh ka qenë serbi Bane Aleksiç Zubar.

Ndërkohë që numri i parashutistëve shqiptar ka qenë më i madh dhe ndonjë prej tyre mundet edhe ende të jetoj, por nga ata që ai ka përmendur janë Sherif Xhaka, Ramë Boshnjaku-Lisica, Muhedin Zasella dhe një serb Danilo që ka jetuar në Shipol, kujton sot Nysret Çubreli “Arapi”, djali i Hamitit, që njihet nga gjithë sportdashësit si ish basketbollist.

Nysreti bazuar edhe në disa dokumente e dorëshkrime nga koha e babës, është duke hulumtuar për bashkë-kohanikët e babës dhe duke punuar në xhirimin e filmit dokumentar për punën dhe jetën e pilotit dhe parashutisti të parë shqiptar Hamit Demir Çubreli, që pritet të përfundoj në vitin që vjen.

Hamit Çubreli pasi ka punuar deri në mbylljen e pistës në Mitrovicë në vitin 1959, më pas angazhohet edhe në punë si pilot i aeroplanëve bujqësor në Milloshevë ndërsa më pas edhe në Sllatinë, ai ka vdekur nga vdekja natyrore me 1 janar 1974 në Mitrovicë.

Gjeneratat e vjetra nga Mitrovica edhe rrethina e mbajnë mend mirë aeroplanët e vegjël që pas luftës ishin atraksion në qytetin buzë Ibrit dhe padyshim emri i pilotit të parë shqiptar dhe parashutistit Hamit Çubreli, që më vonë u pasua edhe nga parashutistët tjerë.

Ndërsa gjeneratat e reja duhet patjetër të njihen me historinë, bëmat dhe sukseset që kanë arritur shqiptarët në kohët shumë të zeza për shqiptarët siç ishin vitet e pasluftës, prishjes së ish Jugosllavisë me Rusinë, aksionin e dëbimit të shqiptarëve dhe mbledhjes së armëve, deri në ditët e sotme kur fal luftës gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat