Haradinaj pritet në parlamentin britanik dhe në Dhomën e Lordëve

Kosova

Haradinaj pritet në parlamentin britanik dhe në Dhomën e Lordëve

Më: 12 shkurt 2013 Në ora: 18:50

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, sot në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, vazhdoi me agjendën e tij në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Dhomën e Lordëve dhe takime me institucione të tjera.

Kryetari Haradinaj në Dhomën e Lordëve takoi Lordin Bowness, me të cilin bisedoi për vizionin që u bashkënda lidhur me të ardhmen e Republikës së Kosovës si një vend i ri, që për synim ka përqafimin e idealeve evropiane nëpërmjet forcimit të identitetit, respektimit të parimeve të shtetit ligjor dhe forcimit të mëtutjeshëm të institucioneve.

Ndërsa, në takimet që z. Haradinaj i mbajti në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar me deputetë të ndryshëm, ritheksoi nevojën për bashkëpunim intensiv në mes të Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe atij Britanik.

Kryetari Haradinaj, duke prezantuar vizionin e tij për të ardhmen politike, institucionale dhe integruese të Republikës së Kosovës, kërkoi nga përfaqësuesit e popullit britanik që të inkurajojnë dhe mbështesin aspiratën e Kosovës për integrim dhe evropianizim të plotë dhe të vërtetë në të gjitha nivelet, nga pikëpamja politike, institucionale, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Duke iu referuar zhvillimeve dhe sfidave të ditës që ka shteti dhe politika e Kosovës sot, theksoi nevojën për një vetëdije më të lartë për bashkëpunim dhe bashkërendim të aktorëve institucional dhe politik.

Kryetari Haradinaj, duke iu referuar 5-vjetorit të pavarësisë, konfirmoi se e ardhmja e Republikës së Kosovës do të jetë e mirë dhe e ndritur, kur të jetë e ardhme e përbashkët e çdo qytetari, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë sociale apo etnike.

Gjatë ditës së sotme, në takimin me përfaqësues të lartë të BERZH-it, Kryetari Haradinaj do të bëjë ftesë për një mbështetje të ekonomisë së Kosovës, në mënyrë që ajo të kthehet në një ekonomi dinamike, konkurruese dhe me zhvillim të qëndrueshëm.

Agjenda e Kryetarit Haradinaj vazhdon edhe nesër paradite kur edhe përfundon vizita zyrtare. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat