Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Berat Buzhala i ka dhënë një porosi Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai ka thënë se MPJ para se të dënojë testin bërthamor të Koresë së Veriut, e ka borxh të tregojë pse Kroacia ka vendosur që qytetarëve të Kosovës që në pasaportat e tyre e kanë vizën Schengen të mos u lejohet të kalojnë në atë shtet.
Në vazhdën e reagimeve nonsens kjo ministri, sipas tij, mundet të shprehë keqardhje edhe për zhvillimet e fundit në Rusi, ku një shkrirje e një meteori i ka lënduar qindra qytetarë rusë.
“Deri sa isha në taxi e dëgjova në radio një reagim të Ministrisë së Jashtme të Kosovës për zhvillimet më të fundit rreth pajisjes me armë nukleare të Koresë së Veriut. Absolutisht nuk doja me besu që ky reagim ishte menduar për me prodhu lajm serioz. Qe një lutje për Ministrinë e Punëve të Jashtme: përpara se me e dënu testin bërthamor të Koresë së Veriut kjo ministri e ka me borxh me ju tregu qytetarëve pse Republika e Kroacisë ka vendos që tash e tutje të mos lejohen të kalojnë nëpër Kroaci ata qytetarë të Kosovës që në pasaporta të tyre e kanë vizën Schengen. Pra, një shtet mik si Kroacia ndërmerr masa represive ndaj nesh, kurse Ministria e Punëve të Jashtme dënon testet bërthamore. Qysh është ajo thënie me plakën që krihet dhe me Stambollin që digjet”, thekson Buzhala në Facebook.
Ministri i Jashtëm Kosovës Enver Hoxhaj, sot përmes një deklarate kishte dënuar veprimet efudnit bërthamore të Koresë Veriore.