Jakup Krasniqi priti Topallin dhe Ramën

Kosova

Jakup Krasniqi priti Topallin dhe Ramën

Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 19:10

Në kuadër të takimeve të veçanta me të ftuarit në seancën e sotme solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi priti kryetaren e parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, dhe kreun e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama. Sipas njoftimit të Zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit, Krasniqi pasi i uroi mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës homologes së tij shqiptare, tha se 17 shkurti paraqet ngjarje të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, e cila u kurorëzua pas peripecive qindvjeçare të shqiptarëve.

Topalli, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për ftesën, e uroi atë për festën e pavarësisë, të cilën e konsideroi një ditë historike për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Topalli vlerësoi të arriturat e shtetit të Kosovës në 5-vjetorin e shtetësisë dhe çmoi kontributin e shqiptarëve të Kosovës në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërkaq, në takimin me Edi Ramën, pas shkëmbimit të urimeve për Ditën e Pavarësisë, ata dy vlerësuan të arriturat e deritashme, por shtruan nevojën e një bashkëpunimi më të thellë ndërmjet dy vendeve, në kapërcimin e sfidave të përbashkëta dhe në rrugën e integrimeve euro-atlantike.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat