Çeku: FSK-ja, s’është me rëndësi si do të quhet, reagon Selimi

Kosova

Çeku: FSK-ja, s’është me rëndësi si do të quhet, reagon Selimi

Më: 20 shkurt 2013 Në ora: 20:19

Institucionet e Kosovës nuk do të insistojnë që medoemos Forca e Sigurisë ta ketë emrin Ushtria e Kosovës. Ministri i FSK-së, Agim Çeku, në emisionin “Rubikon” ka thënë të mos jetë i rëndësishëm emri që do ta ketë apo do ta marrë në të ardhmen FSK-ja, por me rëndësi është substanca e saj. Ai tha se duhet dërguar sinjale pozitive fqinjëve të Kosovës se ne nuk po krijojmë një ushtri ofensive, por një strukturë që do t’iu përgjigjet nevojave të Kosovës dhe NATO-s.

Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash deputet në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi është ndier i befasuar me faktin se ministri i FSK-së thotë të mos jetë i rëndësishëm emërtimi ushtri.

Sipas tij, nëse FSK-ja nuk do të quhet ushtri, atëherë ministri Çeku duhet të japë dorëheqje, pasi kjo gjë është në kundërshtim me atë për çka ka luftuar UÇK-ja. Sipas Selimit, kjo është në kundërshtim edhe me interesat e vetë shtetit dhe sovranitetit të tij. Ndërsa njohësit e sigurisë e shohin të domosdoshme për shtetin krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat