Prokuroria kërkon ndjekje penale të djemve të Adem Grabovcit

Kosova

Prokuroria kërkon ndjekje penale të djemve të Adem Grabovcit

Më: 21 shkurt 2013 Në ora: 18:06

Prokuroria ka ndërruar kualifikimin e rrahjes së policit Avni Selaci nga djemtë e Adem Grabovcit. Pas presionit publik, nga kundërvajtje, prokuroria e ka kualifikuar atë në vepër penale, konkretisht sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi.
Policia ka kërkuar informacione shtesë, kur e ka përpiluar kallëzimin penal për djemtë e Grabovcit, ndërkaq prokurori kujdestar, Ilaz Beqiri, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka udhëzuar policinë që rastin ta kualifikojë si sulm ndaj personit zyrtar.
Fillimisht, prokurorja që kishte qenë kujdestare ditën kur ndodhi sulmi ndaj policit nga Vushtrria, Merrushe Llugiqi, kishte vendosur që rastin ta kualifikojë si vepër kundërvajtje. Rasti ndaj Guxim e Ngadhënjim Grabovcit ende nuk ka mbërritur në Prokurori dhe nuk është caktuar prokurori përgjegjës për të.
Në një komunikatë të Prokurorisë së Shtetit, të cilën po e japim të plotë, thuhet se kryeprokurori, Ismet Kabashi, nëpërmjet prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri, i cili është duke e zëvendësuar kryeprokurorin e kësaj prokurorie, i cili gjendet në udhëtim zyrtar jashtë vendit, ka kërkuar raport me shkrim nga prokurorja Merrushe Llugiqi, e cila ka qenë prokurore kujdestare ditën kur ka ndodhur rasti i sulmit të policit Selaci në Fushë Kosovë.
“Nga raporti i prokurores Llugiqi rrjedh se: prokurorja Llugiqi është informuar nga Stacioni Policor në Fushë Kosovës se ka ndodhur një rast i sulmit ndaj personit zyrtar, polic, ku ngjarja përshkruhet se një person e ka goditur policin dhe se polici ka përdorur sprej, pa dhënë detaje të tjera. Në raport prokurorja nuk përmend identitetin e policit që e ka informuar për rastin, por atë e emërton ‘polic i Stacionit policor në Fushë Kosovë’, dhe as kohën se kur është informuar për rastin nga ky polic.
Sipas raportit, prokurorja nuk është informuar se policë të tjerë kanë shkuar për të asistuar në vend lidhur me rastin, se nuk ka qenë e informuar se polici ka qenë i lënduar rëndë, apo se ka qenë i alivanosur.
Në thirrjen tjetër se polici dhe dy të dyshuar, pas trajtimit mjekësor, janë kthyer në Stacionin e Policisë në Fushë Kosovë, pa e njoftuar për gjendjen e tyre shëndetësore të rëndë ose të përkeqësuar dhe nuk është informuar se në ngjarje kanë qenë të përfshirë më shumë se dy persona, të cilët tani më janë të dyshuar.
Prokurorja thekson se është interesuar të dijë se a ka dëshmitarë të mundshëm dhe policia e ka informuar se është një person, por se ai nuk e ka parë se si është zhvilluar ngjarja. Polici e ka informuar se ekziston xhirimi me kamera të instaluara në pompën e derivateve të naftës, para së cilës është zhvilluar ngjarja e që në atë kohë ishte e mbyllur. Polici, me të cilin ka komunikuar prokurorja, i ka thënë asaj se të nesërmen që do t’i sigurojnë incizimet.
Të nesërmen policia e ka njoftuar prokuroren se xhirimet nuk janë ruajtur, por janë fshirë.
Në bazë të këtyre të dhënave, prokurorja fillimisht, derisa të mos sigurohen informata shtesë, rastin e ka cilësuar si mospërfillje të urdhrave të ligjshëm. Prokurorja thekson se asnjëherë nuk kërkon që policia ta njoftojnë me emrin e të dyshuarve. Ajo kërkon të dijë vetëm për moshën e të dyshuarve, me qëllim të përcaktimit nëse rasti është në kompetencë të Departamentit për të Mitur.
Kryeprokurori Kabashi për këtë rast është njoftuar më 20 shkurt nga shkrimet në mjetet e informimit publik dhe po të njëjtën ditë e ka kontaktuar prokurorin Ilaz Beqiri, i cili, gjatë kësaj jave është prokuror kujdestar për tu informuar për rastin. Prokurori Beqiri e ka njoftuar kryeprokurorin Kabashi se ka kërkuar nga policia që të ushtrojë kallëzim penal dhe këtë rast ta kualifikojë si vepër penale: sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, nga neni 410 i KPK-së. Policia e Kosovës ka paraqitur kallëzimin penal në prokurori po të njëjtën ditë.
Sistemi i ndarjes së lëndëve në prokuroritë Themelore nuk siguron që lënda t’i ndahet prokurorit kujdestar. Tani prokurore e rastit është Sebahate Hoxha.
Kryeprokurori i Shtetit nuk ka autorizim të ndërmarrë masa disiplinore kundër prokurorëve, pasi kjo është kompetencë e Komisionit disiplinor dhe e Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat