Përplasje në degën e AAK-së në Rahovec, ndërpritet procesi zgjedhor

Kosova

Përplasje në degën e AAK-së në Rahovec, ndërpritet procesi zgjedhor

Më: 23 shkurt 2013 Në ora: 20:09

Derisa në Prishtinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpalosur sot vizionin e saj për Kryeqytetin e Kosovës, Dega e AAK-së në Rahovec ka ndërprerë procesin e saj zgjedhor. Kjo është bërë e ditur përmes një deklarate të kryesisë së degës, drejtuar kryetarit Haradinaj.
Në deklaratë shprehen pakënaqësitë e degës ndaj kryetarit aktual të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Kryesia e Degës, ka ndërprerë edhe herave tjera përkohësisht procesin zgjedhor, pasi që sipas tyre ishte e nevojshme shmangia e vëllavrasjes.
“Përkundër zhgënjimit dhe dëshpërimit të aleancistëve rahovecas nga njeriu për të cilin punuan investuan dhe e bën kryetar komune, ne shprehëm gatishmërinë për të hyrë në zgjedhje partiake duke besuar dhe shpresuar se tani që kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj është i lirë dhe në detyrë si kryetar partie nuk do të lejojë që ky njeri të përdor marifetllëqet e tij të ulëta për të përdorur çdo mjet për arritjen e qëllimeve të tija.
I vetëdijshëm se gjasat për të marrë udhëheqjen e degës konform rregullave demokratike dhe statutare ishin më se minimale, që në fillim S. Latifi filloi të mos zgjedh mjete për qëllimet e tija destruktive. E filloi me: presion, kërcënim, shantazh, kushtëzim për dhënie të nënshkrimit për veteranët e luftës, premtime të rrejshme për vendet e punës, premtim për dhënie tenderësh, ndarje masive të mbushjeve telefonike dhe joshje të formave të llojllojshme deri te kërcënimi i hapur me armë nga shoferi personal i tij në kuvendin e nëndegës në Pastasel. Të gjitha këto janë shumë lehtë të dokumentuara e të vërtetuara.
Të ballafaquar me këtë situatë të vështirë mu në fillim të procesit zgjedhor, ku hapur u paraqitën qëllimet djallëzore të Smajl Latifit se o duhet të fitojë ai, o të derdhet gjaku, dhe pas analizës së hollësishme të situatës tendosëse në terren vendosëm që procesin zgjedhor përkohësisht ta ndërpresim, në mënyrë që te pengohet kjo vëllavrasje e mundshme”, thuhet në deklaratë
Mirëpo përmes këtij vendimi të fundit Kryesia e Degës së AAK-së në Rahovec ka ndërprerë përfundimisht deri në kohë të pacaktuar zgjedhjet e brendshme në kuadër të degës.
“Duke parë se, edhe pas më shumë se një muaji nga ndërprerja e procesit zgjedhor grupi koordinues i qendrës sillej sikur në Rahovec të mos kishte ndodhur asgjë, në bazë të përgjegjësive dhe kompetencave statutore si kryetar i degës (Neni 23: pika 3 dhe 7) konsultuam shumicën absolute të strukturave në nivel dege dhe të nëndegëve, nga të cilat konsulta me miratimin e më shumë se 2/3 të strukturave aktuale vendosëm si më poshtë:
1. Tubimet e grupit të S.Latifit nëpër nëndegë pas datës 19.01.2013 shpallen si jolegale dhe të paligjshme.
2. Zgjedhjet e brendshme në kuadër të degës së AAK-së Rahovec përfundimisht ndërpriten për kohë të pacaktuar deri në krijimin e kushteve normale për zgjedhje konform ligjit, statutit të partisë dhe rregullores për zgjedhje të brendshme.
3. Deri atëherë të gjitha strukturat e AAK-së në degë dhe nëpër të gjitha nëndegët para 15.01.2013 konsiderohen legale, zyrtare dhe legjitime.
Nga kryetari z. Ramush Haradinaj dhe nga Kryesia qendrore e partisë kërkojmë që të respektojë këtë vendim”, thuhet më tej në deklaratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat