Thaçi njofton Kryesinë e partisë për takimin në Bruksel

Kosova

Thaçi njofton Kryesinë e partisë për takimin në Bruksel

Më: 26 shkurt 2013 Në ora: 19:11

Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar Kryesinë e PDK-së për rrjedhën e takimit të fundit me kryeministrin serb, Ivica Dacic. Këtë njoftim Thaçi e bëri në mbledhjen konstituive të Kryesisë së PDK-së.

Me këtë rast, Thaçi deklaroi se Republika e Kosovës po ecën drejt funksionalitetit të shtetit demokratik dhe brenda një periudhe të shkurtër Qeveria e Republikës së Kosovës do të vendos sundimin e rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të Kosovës, si dhe do të shpërbehen të gjitha strukturat ilegale të sigurisë.

Sipas tij, së shpejti në atë pjesë të Kosovës do të funksionalizohet sistemi i drejtësisë sipas legjislacionit të shtetit të Kosovës, do të formohet asociacioni i komunave me shumicë qytetare serbe, sipas Planit që parasheh Dokumenti i Presidentit Ahtisaari, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

Ai po ashtu tha se do të mbahen zgjedhjet e lira sipas ligjeve të Kosovës në katër komuna në veri, me organizmin dhe menaxhimin e OSBE-së, më së largu në vjeshtë të këtij viti.

Kryeministri Thaçi theksoi se të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë ne atë pjesë të Kosovës, do t’ju ofrohet një e ardhme dhe perspektivë e sigurt, për çka i ftoi qytetarët që jetojnë atje: serbë, shqiptarë, boshnjakë etj., që të fillojnë integrimin në institucionet e Kosovës.

Sipas tij, çdo marrëveshje e arritur në Bruksel do të jetë në përputhje të plotë me Pakon e Ahtisaarit, Rezolutën e Kuvendit si dhe Kushtetutën e Republikës se Kosovës.

“Gjithashtu për të gjitha këto çështje do të ketë afate kohore dhe mekanizma implementues, ku rol të rëndësishëm për krijimin e ambientit të sigurisë, lëvizjes së lirë, sundimin e rendit dhe të ligjit do të kenë KFOR dhe EULEX-i dhe institucionet e Kosovës”, tha ai.

Sipas kumtesës së PDK-së, në takim u diskutuan edhe çështjet organizative, të vazhdimit të reformave dhe të funksionalizimit të PDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat