Opozita e ndarë për përfitimet e Kosovës nga dialogu

Kosova

Opozita e ndarë për përfitimet e Kosovës nga dialogu

Më: 26 shkurt 2013 Në ora: 20:38

Partitë opozitare sërish janë të ndara kur është fjala për deklarimin e kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, se fundi i dialogut me Serbinë do t’ia sjellë Kosovës një ulëse në OKB. LDK-ja dhe Lëvizja “Vetëvendosje” thonë se këtë e thotë vetëm Qeveria, por jo edhe Brukseli, kurse AAK-ja beson se pikërisht fundi i këtij dialogu do ta anëtarësojë Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe në shumë mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Por kur është fjala për kompromise të vështira në këmbim të një ulëseje në OKB, opozita e bërë bashkë thotë se për Kosovën do të ishte e pavlefshme një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nëse në shkëmbim të saj dëmtohet sovraniteti i vendit. Një deklaratë e tillë e kryeministrit Thaçi mund edhe të mos jetë e realizueshme, të paktën, jo siç pretendon ai, me përfundimin e dialogut me Serbinë.

As partitë opozitare nuk e shohin të realizueshme shpejtë këtë deklaratë të kryeministrit.

Ato kanë frikë se në shkëmbim të një ulëseje në OKB, Kosova mund të përballet me kompromise të vështira.

LDK-ja nuk beson se fundi i dialogut do t’i sjellë Kosovës vendin në OKB.

Ismet Beqiri thotë se më mirë do të ishte që Kosova të mos ketë ulëse në OKB, sesa të rrezikohej integriteti i vendit.

Por, për Vetëvendosjen, kompromisi tashmë është bërë.

Shpend Ahmeti thotë se më 4 mars do të zyrtarizohet në Bruksel kompromisi që ka bërë Kosova.

E Burim Ramadani nga AAK-ja beson se fundi i dialogut do të anëtarësojë Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe në gjithë mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Por, megjithatë, thotë se ulësja në OKB është e pavlefshme nëse në shkëmbim të saj dëmtohet sovraniteti i vendit.

Edhe deklarata e kryeministrit për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, shihet si një hap drejt autonomisë për komunat e veriut të vendit dhe si kompromis për ulëse në OKB.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat