Serbia pranon tërheqjen e strukturave paralele nga veriu

Kosova

Serbia pranon tërheqjen e strukturave paralele nga veriu

Më: 4 mars 2013 Në ora: 08:03

(I plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur takimin e sotëm me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq në Bruskel, si konstruktiv, derisa ka thënë se ka marrë pajtueshmëri verbale për shpërbërjen e stukturave paralele të sigurisë në veriun e Kosovës.

“Ishte takim konstruktiv në frymën e mundësive për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme në përputhshmëri me Kushtetuten e Kosovës dhe ligjet e saj. Është bërë progres në kuptimin e asaj që të kemi rend dhe ligj edhe në veri, të kemi rend demokratik, të kemi zgjedhje të lira, zgjedhje ku vetë qytetarët mund të zgjedhin përfaqësuesit legjitimë".

"Natyrisht që është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjithmonë sipas ligjeve të Kosovës, por në asnjë rrethanë me ndonjë mandat legjislativ apo ekzekutiv, apo Ahtisaari plus përkundrazi gjithmonë gjithçka do të mbetet në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane”, u shpreh Thaçi.

Ai ka thënë se takimi i ardhshëm do të mbahet më 20 mars.

“Ka pasur një pajtueshmëri verbale për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë si dhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës edhe në veri”, u shpreh Thaçi, i cili tha se nga sot është më optimist.

“Nga sot mund të them se jam më optimist për nomalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë duke implementuar agjendën që e kemi para nesh të udhëhequr nga BE dhe të mbëshetur nga SHBA”, tha Thaçi pas takimit të gjahstë me radhë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Daçiq: S'ka marrëveshje, por ka përparim

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se as pas takimit të sotëm me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi në Bruksel, nuk është arritur marrëveshje për çështjet e hapura.Ai ka thënë se ndër shumë tema që janë shqyrtuar, kryesorja ka qenë ajo për Asociacionin e komunave serbe, transmeton REL.

Kryeministri serb ka potencuar se është arritur pajtueshmëri që ky asociacion të formohet, por ka dallime mbi përgjegjësitë që do të ketë ai.

“Serbia konsideron se ky asociacion duhet të ketë më shumë kompetenca sesa ato që është e gatshme Prishtina t’i pranojë”, tha Daçiq.

Ai e ka parë krijimin e Asociacionit të komunave serbe, edhe si një zgjidhje për zgjidhjen e problemit të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

“Ekziston mundësia për marrëveshje, natyrisht për aq sa pala tjetër të ketë para se gjithash gatishmëri politike për kompromis”, tha Daçiq, duke i quajtur bisedimet e sotme si konstruktive.

Ai tha se politikisht dallon me Thaçin, por në takim është arritur përparim në lidhje me organet e Asociacionit të Komunave Serbe.

Daçiq është optimist se në javët e ardhshme do të ketë përparim dhe kompromis eventual.

Po vazhdon raundi i gjashtë i bisedimeve

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, po vazhdonjnë raundin e gjashtë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet pritet të trajtojnë çështjen e veriut dhe strukturat paralele të financuara nga Serbia në këtë pjesë të Kosovës.

Thaçi takohet me Ashton

Rreth orës 10:00 në Bruksel, me takimin ndërmjet shefes për Punë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur raundi i gjashtë i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është konfirmuar nga Komisioni Evropian.

Ashton pas këtij takimi me Thaçin do të takohet edhe me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ndërsa më pas, do të vazhdojë takimi i dy kryeministrave dhe baroneshës Ashton, takim ky në të cilin pritet që temë kryesore të jetë krijimi i Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.

Beogradi, sipas paralajmërimeve të zyrtarëve serb, do të kërkojë që ky asociacion të ketë kompetenca ligjvënëse dhe ekzekutive, kërkesë kjo që të paktën, deri më tani, është kundërshtuar vendosmërisht nga Prishtina.

Bruksel: Thaçi takon Reekerin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të mbajtjes së takimit të radhës të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është takuar në Bruksel me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker.

Kryeministri Thaçi potencoi se me marrëveshjet e arritura gjer më tani, është përmirësuar jeta e qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike, fetare apo politike.

Në njoftimin e lëshuar nga kabineti për informim i kryeministrit, thuhet se zoti Thaçi ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, "si rruga më e mirë për zgjidhjen e një mori çështjeve që kërkojnë qasje ndër-shtetërore, rajonale dhe më gjerë".

Në komunikatë, zoti Reeker citohet të ketë ritheksuar "vazhdimësinë e përkrahjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun" dhe "për integritetin territorial të Kosovës".

Në prag të bisedimeve Kosovë - Serbi

Kosova dhe Serbia vazhdojnë sot në Bruksel bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ky raund i bisedimeve vlerësohet si më i vështiri për shkak të dallimeve të thella që kanë të dyja palët për mënyrën e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Prishtina kërkon shpërbërjen e strukturave paralele dhe krijimin e një asociacioni të komunave, pa fuqi ekzekutive. Beogradi pohon se një njëfarë mënyre ka hequr dorë nga strukturat aktuale në veri, por kërkon nga Prishtina kompromis për krijimin e bashkësisë së komunave serbe me pushtet ekzekutiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat