Ndalohet shitja e mbi 49 mijë paketimeve të hurmës në Kosovë

Kosova

Ndalohet shitja e mbi 49 mijë paketimeve të hurmës në Kosovë

Më: 2 prill 2024 Në ora: 14:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndaluar shitjen e 49,352 paketimeve të produktit hurma për mos përputhje të peshës së deklaruar në parapaketim.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se gjatë inspektimeve të zakonshme që Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, realizon çdo ditë, në disa subjekte ekonomike të inspektuara, është hasur në parregullësi sa i përket mospërputhjes së peshës së deklaruar të produkteve.

Bëhet fjalë konkretisht për produktin hurma, me ç’rast është ndaluar shitja e 49,352 paketimeve të këtij produkti. Inspektorët e Tregut në bashkëpunim me zyrtarët e Metrologjisë, pas marrjes së mostrave kanë konstatuar së produktet hurma të peshës 550 gram dhe 600 gram nuk e kanë peshën e deklaruar sikurse në parapaketim dhe të njëjtat nuk e plotësojnë kriterin e mesatares dhe atë të përmbajtjes në etiketë”, thuhet në njoftim.

MINT shton tutje se si rrjedhojë, subjektet ekonomike janë obliguar që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i eliminuar këto parregullsi, përkatësisht të vendosin deklaracionin me peshën e saktë të produkteve, dhe në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e konusmatorëve dhe konkurrencën e drejtë në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat