Beqiri: Refuzimi nga Eshton? Një spekulim i ndyrë

Kosova

Beqiri: Refuzimi nga Eshton? Një spekulim i ndyrë

Më: 14 mars 2013 Në ora: 18:09

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri i ka quajtur spekulime të ndyra, pohimet në media se ai është refuzuar që të marrë pjesë në takimin e baroneshës Eshton me liderët e partive politike.
Sa i përket mospjesëmarrjes së kryetarit Mustafa, Beqiri sqaroi se për shkak të pamundësisë së pjesëmarrjes së Mustafës në takim, për shkak të vizitës në Bruksel, ata ia kanë përcjellë mesazhet përfaqësuesit të BE-së në Kosovës, z.Samuel Zhbogar. “Sa i përket mbajtjes së takimi të baroneshës Eshton me liderët partiak, ne këtë e kemi sqaruar dje, në një takim me z.Zhbogar, të cilit ia kemi shprehur qëndrimet tona dhe e kemi sqaruar se z.Mustafa nuk do të jetë në takim”, tha Beqiri. Sipas Beqirit, Mustafa, sot është takuar në Bruksel me z. Antonio Lopez Isturiz, Sekretar i Përgjithshëm i EPP-së, si dhe me znj. Wortmaan-Kool, anëtare e Parlamentit Evropian dhe nënkryetare e EPP-së dhe nesër ka takim në senatin belg. “Kjo ka qenë arsyeja që ai nuk ka qenë sot në takim”, tha Beqiri, i cili konfirmoi se ai takim është i nivelit të lartë të partive të djathta ku marrin pjesë shumë burrështetas.
Po në këtë takim është duke marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.
Prandaj, tha Beqiri se Eshton është njoftuar nga Zhbogar dhe “ne jemi të deklaruar qartë për dialogun se kërkon respektimin e Kushtetutës së vendit dhe Pakon Ahtisari”. Beqiri tha se pa LDK-në nuk do të ec asnjë proces në Kosovë.
Duke iu rikthyer edhe njëherë informacioneve se ai është refuzuar nga Eshton, Beqiri i quajti veçse shpifje të qarqeve të caktuara. “Ajo është shpifje ordinere, ai takim është mbajtur me protokoll, nëse do të ishte kërkuar zëvendësim do të kishte shkuar dikush që ta zëvendësonte z.Mustafa, por ato janë spekulime të ndyta që bëhen nga qarqe të caktuara.
Sa i përket Asociacionit të komunave serbe, Beqiri tha se pavarësisht që ai parashihet edhe me Pakon Ahtisari, LDK është kundër kategorikisht që ai nuk duhet të ketë kompetenca legjislative dhe ekzekutive.
Beqiri tha se takimet e Mustafës në Bruksel kanë qenë të përcaktuara para dy jave dhe ai takim është i një niveli të lartë.
I pyetur për takimet e sotme të Eshtonit, përkatësisht përmbajtjen e tyre, nëse kanë siguruar informacionet për qëndrimet e liderëve të vendit dhe kërkesat e parashtruara nga Eshton, Beqiri tha se nuk ka fshehtësi sa i përket LDK-së, pavarësisht se si kanë rrjedhur takimet, ai tha se LDK i ka qëndrimet e qarta. “Asnjë mandat tjetër nuk e ka z.Thaçi, përveç se të respektojë Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rezolutën e Kuvendit”, tha prerazi Beqiri, në një prononcim për “Bota sot”. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat