Dokumenti i Ashtonit me vërejtjet e Qeverisë

Kosova

Dokumenti i Ashtonit me vërejtjet e Qeverisë

Më: 28 mars 2013 Në ora: 22:09

Sipas draft marrëveshjes tetë pikëshe të BE-së ofruar Prishtinës dhe Beogradit nga përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton, ku janë të përfshira të gjitha vërejtje dhe sugjerimet e bëra nga Qeveria e Kosovës, marrëveshja është dokument që pritet të nënshkruhet me 2 prill në Bruksel mes kryeministrit Thaçi dhe atij serb, Daçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Dokumenti, respektivisht draft-marrëveshja tetë pikëshe e hartuar nga zyra e krye diplomates evropiane Catherine Ashton, e cila u është ofruar Prishtinës dhe Beogradit, ka pësuar ndryshime si rezultat i propozimeve dhe sugjerimeve të bëra nga Qeveria e Kosovës.

Dokumenti që ka siguruar Radio Kosova, përfshin heqjen e frazave dhe togfjalëshave që kanë dykuptimësi dhe mund të keq interpretohen. Me vërejtjet e bëra precizohet se Asociacioni i komunave serbe nuk ka përgjegjësi ekzekutive.

Në këtë kuadër, pika e gjashtë, ku thuhet se “Komuna do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë që mund të delegohen në të ardhmen komunave nga autoritetet qendrore” është propozuar që të fshihet tërësisht.

Kurse në pikën e parë ku thuhet “shoqata/komuniteti i komunave me shumicë serbe” do të themelohet nga komunat me shumicë serbe në Kosovë, pjesa e fundit e saj, citojmë: “... dhe do të pasqyrojë identitetin e tyre” është fshirë.

Po ashtu në pikën e katërt, ku thuhet se në përputhje me kartën evropiane të vetëqeverisjes Lokale dhe të ligjit në Kosovë, komunat pjesëmarrëse mund të vendosin të ndajnë kompetencat e tyre dhe të ushtrojnë ato përmes shoqatës –komunitetit, fjala “mund të vendosin” është zëvendësuar me “mund të organizojnë, të iniciojë dhe të promovojnë bashkëpunimin për kryerjen e detyrave me interes të përbashkët që bie nën kompetencat e komunave.”

Edhe në pikën e pestë të dokumentit ku thuhet se shoqata apo komuniteti do të ushtrojë vështrim strategjik mbi fusha të tilla zhvillimi ekonomik, arsim dhe shëndetësi dhe çështje tjera lokale të interesit të përbashkët, fjala “do të ushtrojë vështrim strategjik mbi fusha të tilla” është zëvendësuar me fjalën “monitorimin dhe vlerësimin.

Kurse në pikën e shtatë ku thuhet se “Shoqata/Komuna do të përfaqësoj në autoritetet qendrore dhe do të kenë një vend në Këshillin Konsultativ për komunitete për këtë qëllim”, fjala “do të përfaqësojë” është zëvendësuar me – strukturën foljore: “do të lobojë në interes të komunave me shumicë serbe”.

Pika e tetë e draft marrëveshjes ndërkaq nuk është prekur fare nga pala kosovare, ku thuhet se zgjedhjet komunale do të organizohen në komunat në veri në vitin 2013 me ndihëm e OSBE-së në Kosovë, në pajtim me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.
Ky dokument tetë pikësh është publikuar ditë më parë edhe nga mediat serbe në Beograd, por pa vërejtjet e Qeverisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat