Pala kosovare indolente në çështjen e dëmeve të luftës

Kosova

Pala kosovare indolente në çështjen e dëmeve të luftës

Më: 1 prill 2013 Në ora: 19:00

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa në një prononcim ka deklaruar se pala kosovare e ka trajtuar çështjen e dëmeve të luftës me indolencë, duke thënë se është dashur të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare që me Serbinë të bisedohet çështja e dëmeve të luftës duke e ngritur në vazhdimësi këtë problematikë.
Mustafa ka thënë se nëse në adresë të Serbisë, prej qytetarëve të Kosovës do të paraqiteshin me qindra ose mijëra kërkesa për zhdëmtim, atëherë Serbia nuk do të ishte kokëlartë për dëmet që i ka bërë në luftë.

“Dëmi i përgjithshëm që e ka bërë Serbia në Kosovë, sillet rreth 20 miliardë euro. 40 për qind e fondit të banesave ka qenë i shkatërruar, shumë pasuri private, pastaj 70 për qind e pajisjeve shtëpiake, 70 për qind e pajisjeve bujqësore, plaçkitje në para, 50 për qind është ulur fondi i bagëtisë etj.”, tha Mustafa.

Profesori universitar vlerëson se çështja nuk ka të bëjë vetëm me reparacionet dhe dëmet direkte të luftës, duke shtuar se janë një mori çështjes që lidhen me okupimin dhe shkatërrimin e strukturës institucionale të Kosovës që nga vitet ’90-ta.

Sipas tij, kanë ndodhur shkelje drastike të të drejtave të njeriut, siç është përjashtimi nga puna i 70 për qind të shqiptarëve që ishin të punësuar në sektorin publik.

“Vetëm mbi këtë bazë dëmi për pagat e papaguara kalojnë mbi tre miliard euro. Pastaj është problemi i shkatërrimit të sistemit buxhetor, ku Serbia ka mbledhur taksat në Kosovë, por nuk ka kthyer kurrfarë investimi gjatë atyre 10 viteve. Ka ndodhur një dezivenstim i fondeve fikse, infrastrukturës, industrisë, mjeteve, ku vlera e amortizimit arrin diku rreth pesë miliardë euro”, tha ai

Mustafa thotë se gjatë viteve ’90-ta dëmet direkte nga lufta kanë qenë të përqendruara në sektorin publik, në elementet e shtetësisë dhe autonomisë. “Tendenca e pushtetit Serb, ka qenë të shkatërrohet sektorin privat dhe të bëhet e pamundshme jetesa e shqiptarëve”.

Ai thotë se Kosova çështjen e dëmeve të luftës e ka prezantuar edhe gjatë bisedimeve të Vjenës, duke u përsëritur edhe gjatë bisedimeve në Bruksel.

“Ekziston njëfarë hezitimi i bashkësisë ndërkombëtare që këto çështje të vihen në tryezë. Nëse flitet për dëmet në pasurinë publike, institucionet e Kosovës mund ta shtrojnë ose mos ta paraqesin këtë çështje. Por, nëse flasin për dëmet në pasurinë private, atëherë kosovarëve nuk mund t’iu mohohet e drejta për zhdëmtim. Republika e Kosovës duhet t’u japë ndihmë qytetarëve të ngrisin padi kundër Serbisë për zhdëmtim”.

Njohësi i ekonomisë thekson se nëse bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i bëjë presion Serbisë për të filluar bisedimet për dëmet e luftës, gjasat për tu zgjidhur kjo çështje janë të vogla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat