Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mori pjesë në funeralin e ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher

Kosova

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mori pjesë në funeralin e ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher

Më: 19 prill 2013 Në ora: 11:44

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, mori pjesë në funeralin e ish-kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Margaret Thatcher në Londër, ku iu dha nderimi i lartë dhe lamtumira e fundit njërës nga lideret më të shquara të shekullit njëzetë dhe njërës nga gratë më të fuqishme, të njohur për lidershipin e saj vizionar në të mirë të vendit të vet dhe gjithë njerëzimit.
Në ceremoninë zyrtare, që u mbajt në Katedralen e Shën Palit morën pjesë personalitete të shquara botërore, duke përfshirë Mbretëreshën Elizabeth dhe bashkëshortin e saj, Princi Philip, kryeministri David Cameron, përfaqësuesit tjerë të qeverisë, të Parlamentit Britanik dhe Dhomës së Lordëve, kryetarë shtetesh, kryeministra, kryetarë parlamentesh nga mbare bota, si dhe mijëra qytetarë që kishin ardhur për të shprehur respektin për lideren e tyre, e cila u nda nga jeta me 8 prill 2013.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri po ashtu mori pjesë në pritjen e dhënë për pjesëmarrësit, me ç’rast u takua me kryeministrin David Cameron dhe sekretarin William Hague, të cilëve iu shprehu ngushëllime të sinqerta, në emër të kryeministrit Hashim Thaqi, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të saj. Me këtë rast, zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi lartë figurën e ish-kryeministres Thatcher si një nga figurat më madhore që shënuan historinë e shekullit njëzetë në botë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri po ashtu u takua me ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Asselborn, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, ministren e Jashtme kroate, Vesna Pusic dhe personalitete tjera nga e gjithë bota.
Pas përfundimit të ceremonisë, Zëvendëskryeministrja u nënshkrua në librin e zisë për vdekjen e ish-kryeministres Thatcher, në të cilin vlerësoi lartë trashëgiminë politike të ish-kryeministres Thatcher si një udhërrëfyes për demokracinë, lirinë dhe politikat reformatore.
Kryeministrja Thatcher do të mbahet në mend për lidershipin e saj në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë në botë, ndërsa populli shqiptar do të jetë gjithnjë mirënjohës për mbështetjen e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për ndëshkimin e regjimit gjenocidial të Serbisë dhe Millosheqit. Në fjalimin e saj të mbajtur më 30 prill 1999 në Uashington ajo i dha përkrahje të fuqishme intervenimit ushtarak të NATO-s dhe mbështeti pavarësinë e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat