Lunaçek zgjedhjet në veri legale e të vlefshme

Kosova

Lunaçek zgjedhjet në veri legale e të vlefshme

Më: 5 nëntor 2013 Në ora: 09:36

Zgjedhjet në Kosovë, me përjashtim të veriut, kanë qenë shumë më të mira se ato të mëparshmet.“ Në përgjithësi, nëse i krahasojmë këto zgjedhje me ato të vitit 2010, në pjesët jugore të lumit Ibër, janë shënuar përparime të mëdha. Këto zgjedhje kanë qenë shumë më të përgatitura, si në aspektin njerëzor ashtu edhe teknik. Edhe në këto zgjedhje ka pasur përpjekje për frikësimin apo influencimin e zgjedhësve, por strukturat kanë qenë shumë më të përgatitura dhe më të organizuara. Në terren ka pasur rreth 50 prokurorë, të cilët kanë ndërhyrë në rastet e nevojshme dhe kanë mbajtur nën masa arresti dhjetra persona të dyshuar për parregullsi të ndryshme.

Kjo ka funksionuar shumë mirë dhe për këtë jam e gëzuar”, ka vlerësuar në një intervistë ekskluzive për DW, Ulrike Lunaçek, raportuese e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën.
Në konstatimin se që tani zgjedhjet në pjesët e tjera të Kosovës, përveç në veri, mund të quhen si të lira dhe demokratike, Lunaçek tha se do të presë vlerësimet përfundimtare të misionit të Bashkimit Evropian. Por, sipas saj, kur i krahason këto zgjedhje me ato të fundit, mund të thuhet se ato janë organizuar shumë më mirë.

“Kjo ka të bëjë edhe me faktin që në vendvotime kanë qenë prezentë edhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike, pra edhe të opozitës. Vëzhguesit kanë qenë shumë të përgatiur dhe kjo është shumë positive”, tha Lunaçek.

Lunaçek thekson se e ka befasuar pozitivisht fakti se asnjë parti politike nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve. “Në shumë komuna do të ketë balotazh, por interesante është që jo në të gjitha komunat kanë fituar kandidatët për të cilët është menduar se do të fitojnë. Ky është një proces i domosdoshëm demokratik që dëshmon se shumë gjëra janë organizuar më mirë se sa më pare”.

Sa i përket veriut, ku grupe ekstremistësh serbë kanë ushtruar edhe dhunë në vendvotime dhe çfarë do të raportojë ajo për këto ngjarje në Bruksel, Lunaçek tha se edhe vetë ka qenë në veri të Mitrovicës dhe i ka vizituar disa vendvotime. Fakt është që një numër i zgjedhësve ka dalë në votime. Sipas disa vlerësimeve deri në ora 15:00 kishin votuar mes 12 e 14 % të votuesve, tha ajo.

Për fat të keq, shtoi Lunaçek, ajo që ka ndodhur në mbrëmje, ku disa radikalë kanë sulmuar vendvotimet me gaz lotsjellës dhe me dhunë fizike i kanë dëmtuar kutitë e votimeve e ka dëmtuar rëndë procesin zgjedhor në këtë pjesë. “Po të mos ishin këto incidente, pjesëmarrja në votime do të ishte edhe më e lartë. Kjo duhet të sqarohet deri në fund, sepse pak a shumë dihet se kush janë këta persona. Ata janë pjesëtarë të strukturave kriminale në veri, të cilat janë krijuar vitet e fundit, si pasojë e mungesës së veprimit të organeve të shtetit juridik. Shpresoj se ata do të kapen dhe do të arrestohen dhe se gjëra të tilla nuk do të përsëriten kurrë”, tha Lunaçek.

Në pyetjen konkrete se a kanë dështuar zgjedhjet në veri të Kosovës, Lunaçek tha se “zgjedhjet kanë dështuar vetëm në ato vendvotime në veri të Mitrovicës, atje ku janë ndërprerë me dhunë”.
Por, sipas saj, në vendet e tjera zgjedhjet janë zhvilluar relativisht mire dhe se “zgjedhjet mund të shpallen legale dhe të vlefshme”.

Madje ajo shtoi se zgjedhjet nuk kanë dështuar në tërë veriun e Kosovës. “Në Mitrovicë po”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat