Krasniqi: Mandela personalitet i shquar i gjithë botës

Kosova

Krasniqi: Mandela personalitet i shquar i gjithë botës

Më: 6 dhjetor 2013 Në ora: 13:40

Me rastin e vdekjes së ish-presidentit të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë një deklaratë, në të cilën thuhet se Mandela hyn në radhën e personaliteteve të shquara të të gjithë botës.

“Me dhembje të thellë dhe pikëllim morëm lajmin për vdekjen e ish-presidentit të Afrikës së Jugut, njeriut të sakrificës, Nelson Mandela. Mandela ishte dhe mbetet simbol i lirisë e paqes, i mençurisë dhe ripajtimit.

I burgosur politik me stazh të gjatë, president i parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut dhe laureat i çmimit Nobel për paqe, Mandela hyn në radhën e personaliteteve të shquara të të gjithë botës.

As vuajtjet 27 vjeçare në burgje, nuk lanë gjurmë urrejtjeje në shpirtin paqedashës të tij. Gjithë këtë dhembje, ai e ktheu në përpjekje dhe luftë të pakompromis për paqe dhe pajtim ndërnjerëzor, duke i lënë kështu njerëzimit një trashëgimi me vlerë të rrallë humane.

Në Kosovë, Mandela ka paraqitur ndër breza të tërë luftëtarësh, modelin dhe shëmbëlltyrën e shpirtit të paepur për liri dhe drejtësi.

Unë dhe përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës, i bashkohemi në dhembje familjes Mandela, popullit të Afrikës së Jugut dhe të gjithë njerëzimit, për humbjen e këtij luftëtari të madh të lirisë dhe barazisë”, thuhet në deklaratën e Krasniqit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat