Bahtiri: Të kemi sjellje dinjitoze gjatë rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini

Kosova

Bahtiri: Të kemi sjellje dinjitoze gjatë rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini

Më: 8 qershor 2015 Në ora: 10:46

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agrim Bahtiri i është drejtuar qytetarëve me një mesazh, lidhur me varrimin e eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini, njëri nga heronjtë më të mëdhenj që dha Kosova, në shekullin e XIX dhe XX.

Lexoni të plotë fjalimin e kryetarit të Mitrovicës

“Të mërkurën do të shënojmë njërën nga ngjarjet më të rëndësishme për ne dhe për qytetin tonë-varrimin e eshtrave të heroit tonë kombëtar, Isa Boletini, njëri nga heronjtë më të mëdhenj që dha Kosova, në shekullin e 19-të dhe 20-të, aty ku ai lindi dhe bëri emër të pashlyeshëm në historinë e kombit tonë.

Ne qytetarët e sotëm të Mitrovicës jemi me fat, sepse të mërkurën, ne po e korrigjojmë një padrejtësi që iu bë heroit Isa Boletini për gati një shekull. Ne po ia kthejmë Isën Boletinit. Ne po ia kthejmë heroin vendit të tij dhe njerëzve të tij. Ne po ia kthejmë vlerat e munguara vendit dhe shtetit tonë. Ne po e hijeshojmë Boletinin, Shalën e Bajgorës dhe Mitrovicën. Ne pra duhet të jemi krenarë si askush tjetër, që na ra hise të kryejmë këtë obligim dhe amanet të këtij kolosi të shqiptarisë.

Bashkëqytetarë të nderuar, që rivarrimi i këtij burri të madh të kombit shqiptarë, të jetë sa më madhështorë dhe dinjitoz, ju ftoj që të martën në ora 19:00, duke filluar nga Kqiqi, të dalim përgjatë rrugës dhe të presim me respekt e nderim të paparë deri tash eshtrat e heroit tonë të madh Isa Boletini, për t’i rehatuar të mërkurën në vendlindjen e tij.

Ndërkaq, të mërkurën, të nderuar bashkëqytetarë, nga ora 09:00 deri në ora 11:00, ju ftoj të bëni homazhe për heroin Isa Boletini, para ndërtesës së komunës, ku do të vendosen eshtrat e tij.

Ndërkaq, nga ora 12:00, të gjithë të marrim pjesë në ceremoninë kryesore me rastin e rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini, në stadiumin e qytetit ‘Adem Jashari’, prej nga më pastaj eshtrat do të nisen drejt Boletinit, ku do të prehen në paqe përgjithmonë.

Nga ju qytetarë të nderuar të Mitrovicës, por edhe nga të tjerët që do të vijnë nga vise të ndryshme të vendit dhe nga trojet tjera shqiptare e diaspora, kërkoj që gjatë gjithë kohës sa do të zgjasë ceremonia dhe përcjellja e eshtrave për në Boletin, të tregoni krenarinë dhe respektin tuaj më të thellë për Isën tonë, duke pas sjellje dinjitoze dhe duke mos shkaktuar as më të voglin incident. Ju lus që të ndiqni këshillat dhe urdhrat e Policisë së Kosovës në të gjitha rastet.

Po ashtu, të nderuar qytetarë, ju njoftoj, se për shkak të hapësirës së vogël dhe të papërshtatshme në kompleksin e kullave të heroit dhe përreth saj, në rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini, në Boletin, do të marrin pjesë vetëm familjarët e ngushtë të heroit Isa Boletini dhe një numër i kufizuar njerëzish tjerë, siç janë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, përfaqësuesit e shqotave të dala nga lufta e UÇK-së dhe për këtë kërkoj që të keni mirëkuptim.

Prandaj, ju lus që të respektoni këtë vendim të Këshillit për rivarrim dhe menjëherë pasi t’i jepni lamtumirën e fundit këtij kolosi të shqiptarisë në ceremoninë kryesore në stadiumin e qytetit ‘Adem Jashari’, të shpërndaheni në mënyrë të qetë dhe dinjitoze”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat