Mitrovica filloi kremtimin për pritjen e Isa Boletinit

Kosova

Mitrovica filloi kremtimin për pritjen e Isa Boletinit

Më: 9 qershor 2015 Në ora: 21:44

Qindra qytetarë të Mitrovicës, ndër të cilët një numër i madh nxënësish, kanë dalë të hënën mbrëma në rrugët e qytetit dhe kanë nisur kremtimin për ardhjen e arkivolit të Isa Boletinit.

Heroi kombëtar është përcjellë nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në kazermë, ndërsa më pas kanë arritur edhe 33 kalorësit të cilët kanë lëvizur nëpër rrugët e qytetit të Mitrovicës deri te ndërtesa e Kuvendit Komunal.

Në mesin e shumë qytetarëve kanë qenë prezentë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, si dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Basha u shpreh të jetë jashtëzakonisht I lumtur që ndodhet sot në mesin e qytetarëve të Mitrovicës.

Basha: Janë emocione të jashtëzakonshme

“Janë emocione të jashtëzakonshme për mua që ndodhem këtu në mesin e qytetarëve të Mitrovicës, qytetarëve nga gjithë Kosova, tek sa rikthehet në vendlindjen e tij, në vendin e adn-së kreshnike të Boletinëve, heroi i kombit dhe simboli ynë Isa Boletini”, ka thënë Basha.

Dukshëm i emocionuar ishte edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili pranoi se nuk ka qenë asnjëherë më i gëzuar në jetën e tij.

Bahtiri: Prania e Bashës më jep edhe më shumë forcë

“Çka t’ju them, nuk kam qenë asnjëherë më i gëzuar në jetën time. Prania e Bashës në mesin tonë na forcon edhe më shumë, sepse e kam pasur përkrahës çdoherë dhe do ta kem”, tha mes tjerash Bahtiri.

Kortezhi që bartte eshtrat e heroit të kombit u nis nga Prishtina, ku sot u mbajt një mbledhje komemorative e Kuvendit dhe homazhe para arkivolit, ndërsa varrimi i Isa Boletinit në fshatin e tij të lindjes Boletin, bëhet nesër. /A. Damati/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat