Kuvendi ratifikon MSA-në. Opozita lëshon seancën, nuk merr pjesë (Video)

Kosova

Kuvendi ratifikon MSA-në. Opozita lëshon seancën, nuk merr pjesë (Video)

Nga: Arben Sylejmani Më: 2 nëntor 2015 Në ora: 07:01

(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim e nënshkruar javën e kaluar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Edhe pse opozita nuk qëndroi në seancë, 86 deputetë ishin pro, derisa nuk kishte kundër dhe as abstenime.

Opozitarët erdhën në seancë vetëm pjesën e parë, kur u bë edhe deklarimi i shefave të grupeve parlamentare. E vlerësuan si të mangët, pasi sipas tyre, MSA-ja ka ardhur si rezultat i marrëveshjeve me Serbinë. Kurse, i vetmi deputet nga opozita i cili qëndroi në seancë ishte Ilir Deda nga Vetëvendosje, i cili nuk u pajtua me deklarimet e bashkëpartiakëve se MSA-ja e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë.

Por ndryshe e kanë vlerësuar MSA-në, Qeveria dhe deputetët e koalicionit qeverisës. Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku derisa ka propozuar për miratim projektligjin për ratifikimin e MSA-së, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se MSA-ja paraqet hapin e parë dhe më të rëndësishëm të ndërmarr deri më tani në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mustafa: MSA na ofron në një front të përbashkët me BE-në

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka deklaruar se MSA-ja është një marrëveshje që na ofron cilësi të tjera të demokratizimit të vendit dhe të të gjithë qytetarëve në një front të përbashkët karshi BE-së dhe me BE-në.

Ai falënderoi të gjitha të ata që janë angazhuar në këtë proces, duke thënë se është një proces për një shtet ligjor dhe mundësi tregtare dhe ekonomike me BE-në.

“Është një marrëveshje që na ofron cilësi të tjera të demokratizimit të vendit të të gjithë qytetarëve në një front të përbashkët karshi BE-së dhe me BE-në. Fryma e marrëveshjes është frymë e qytetarëve të Kosovës që janë përcaktuar pro frymës evropiane. Pas kësaj marrëveshje mbesin edhe dy çështje shumë të rëndësishme deri në fund të vitit, siç është anëtarësimi në UNESCO dhe data për liberalizimin e vizave”, ka thënë Mustafa.

Kurse, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku tha se do të donte që t’ia jepte përgjigje opozitës por ata tanimë kanë lëshuar sallën.

Ai tha se mos prezenca e opozitës e zbeh këtë moment të veçantë por opozita dhe pozita duhet ta din se të gjithë kanë obligim për që ta dërgojnë proceset integrimeve përpara.

Çollaku në këtë rast nuk u përkrah nga deputetët e pozitës të cilët reaguan duke dashur që t’ia ndërprejnë fjalën për shkak se këtë seancë e lidhi me opozitën.

****
Tri partitë opozitare e kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës ku do të ratifikohet marrëveshja në mes BE-së dhe Kosovës. VV, AAK dhe NISMA pasi kanë mbajtur fjalimet e tyre nga shefat e grupeve parlamentare kanë lëshuar sallën në mënyrë demonstrative.

Kadaj- Bujupi: Qeveria është e shantazhuar politikisht

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi ka thënë se AAK-ja ishte, është dhe do të jetë e përkushtuar në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

"AAK ishte dhe sot jetë e angazhuar në përgjithësi për integrimin në BE dhe në NATO dhe në miqësi të mire me SHBA-të. Sot kemi mardh or të konfirmuar këtë rrugëtim që ne i përkrahim këto procese. Kjo rrugë pro perëndimore janë lënduar rënde nga njerëz të cilat janë ulur prapa dhe të cilët bartin përgjegjësi. Këta njerëz janë thelluar në veprime korruptime. Kjo qeveria me të gjithë veprimet e saj deri të tanishme dhe në ta kaluarën ka vepruar pikërisht kundër kërkesave të MSA-se. Sipas e dështimeve të mëdha dhe përfshirjeve personale dhe partiake ne krim në vend që të negociojnë për të mirën e vendit ata negociojnë për shpëtim personale. Fusnota nuk u shkri siç u tha si një fluks bora, por po bëhet një problem për shtetësinë e Kosovës", ka thënë Kadaj-Bujupi.

Nisma përkrah MSA-në edhe pse ka vërejtje në 13 nenet e parë

Kryetarja e grupit parlamentar i të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami tha se Nisma ka vërejtjet e këtij projektligji duke filluar nga neni i parë deri në nenin e 13, por mbështet çdo veprim drejt integrimeve evropiane.

Nisma do të vazhdojë të ruaj marrëdhëniet e mira me instrumentet ndërkombëtare në proceset integruese por në të njëjtën kohë do të kundërshtojë çdo marrëveshje që dëmton qytetarët e Kosovës dhe territorin e saj.

Çollaku: MSA-ja bazament i anëtarësimit në BE

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku po shqyrtohet projektligji për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, filloi me prezantimin e projektligjit nga ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, i cili tha se përfitimet nga kjo marrëveshje nuk përfundojnë me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, por atëherë do të fillojnë dhe do të vërehen në çdo fushë.

Ai tha se Kosova është e gatshme për të marr obligimet dhe përmbushur kriteret e bashkimit Evropian, në mënyrë që qytetarët e shtetit tonë të fitojnë drejt rrugës evropiane.

Teuta Sahatqija kryetare e komisionit për integrime evropiane. "Sot në këtë seancë është një ditë e rëndësishme ku për herë të parë vendosim marrëdhënie kontraktuale me BE-në.Të gjitha vendet që e kanë nënshkruar marrëveshjen për MSA-në e kanë një qëllim integrimin në BE. Prandaj, të nderuar deputet ju ftoj që ta votojmë një zëri MSA-në, ku do të përfitojnë në radhë të parë qytetarët e Kosovës, plus Kosova në arenën ndërkombëtare".

Konjufca: MSA si rezultat i nënshtrimit të Kosovës ndaj Serbisë

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se nënshkrimi i MSA-së është hap i mirë për Kosovën, por sipas tij, kjo nuk ka ndodhur për shkak se Kosova ka zhdukur krimin dhe korrupsionin, por si rezultat i nënshtrimit të Kosovës ndaj Serbisë.

“Natyrisht që kur një vend ka synim mu anëtarësua në BE është pozitiv dhe si i tillë është për tu përshëndetur , por problemi i parë është se ma çfarë statusi po e nënshkruar Kosova këtë marrëveshje. MSA me BE po e nënshkruan një marrëveshje me nj status të kontestuar më Fusnotë. Fusnota është një marrëveshje e arritur me Serbinë dhe fusnota thotë se për Kosovën vlen edhe rezoluta 1244 edhe mendimi i GJND-së. Pra fusnota e ka dëmtuar procesin e sovranitetit të Kosovës sepse e venë Kosovën si një çështje të pazgjidhur në rajon. Dhe Kosova tash po miraton legjislacion me termi Kosovë dhe fusnotë nga marrëveshja me Serbinë.”, ka thënë Konjufca.

Beqiri: Të jemi evropian jo vetëm me fjalë por edhe me punë


Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se nënshkrimi i MSA-së është gurthemel i shtetit tonë por të qenit anëtar i BE-së do të thotë që duhet të sillemi si evropian.

Ai tha se përveç përfitimeve ekonomike, Kosova duhet të sillet dhe t’i zbatojë obligimet që përcaktohen nga BE-ja.

Beqiri tha se me MSA do të ketë ndikim në rritjen e investimeve të huaja direkte.

"Seanca e sotme është shumë e veçantë në Kuvendin e Kosovës. MSA në mes së Republikës së Kosovës dhe BE-së paraqet ngjarjen më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë. Procesi i stabilizim i asociimit është politik e BE-së me qëllim të hapjes së dyerve për anëtarësim të shteteve të BE-së".

Grabovci: Kosova sot vihet në binar të integrimit evropian


​Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci tha se MSA-ja është marrëveshja më e rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe se gatishmëria e kosovarëve për të arritur marrëdhënie kontraktuale me BE-në do ta bëjnë të suksesshme këtë marrëveshje.

"Fillet e marrëveshjes së MSA-së i kemi që nga viti 2012, Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve më Serbinë kishte për qëllim edhe këtë ditë që ne po i gëzohemi të gjithë. Nuk duhet harruar fakti që komisioni evropian propozoj që marrëveshja më Kosovën të nënshkruhet me BE-në si tërësi e jo më shtet veç e veç, kjo është bërë me qëllim për të mundësuar arritjen e kësaj marrëveshje. Sot përfundimisht Kosova vihet në binaret e integrimit evropian".

Projektligji i rekomandua të votohet edhe nga kryetarja e komisionit për Integrime, Teuta Sahatqiu./BS/

Opozita nuk e bojkoton seancën për MSA-në

Opozita ka vendosur që të merr pjesë në seancën e sotme ku do të miratohet projektligji për ratifikimin e MSA-së, por vetë në fillimin e seancës për shkak se vlerësojnë se pozita i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar MSA-në.

Deputetët e AAK-së dhe Vetëvendosjes tanimë kanë hyrë në sallën ku mbahen seancat. Frashër Krasiniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se shefat e grupeve parlamentare do të mbajnë nga një fjalim dhe pastaj do të lëshojnë sallën për shkak se vlerësojnë se pozita i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar ratifikimin e MSA-së.

Edhe kryeministri bashkë me kabinetin e tij tashmë ka ardhur në seancë.

Kuvendi sot ratifikon MSA-në

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka thirrur për sot seancë plenare me të vetmen pikë të rendit të ditës: “Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër”.

Partitë opozitare, të cilat tashmë një kohë më të gjatë janë duke bojkotuar dhe penguar mbajtjen e seancave të Kuvendit, me kërkesën për anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, kanë paralajmëruar bojkotim edhe të kësaj mbledhjeje.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, me një letër të hapur, mbrëmë ka thirrur Vetëvendosjen, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, që të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për shtetin.

Ai u ka bërë thirrje tri subjekteve që, siç ka shkruar, “përkundër dallimeve politike (...), e që janë legjitime në kontekstin e demokracisë”, të japin kontributin e tyre „në ecjen përpara të Republikës së Kosovës“.

Kësaj iu përgjigj mbrëmë AAK, duke cekur se Veseli “dje i ka mbyllur dyert e Kuvendit për deputetët dhe s ot po bën gjoja thirrje për pjesëmarrje në seancë“.

Mbajtja e seancës plenare është caktuar për në orën 10:00, ndërsa paraprakisht, në orën 09:00, rreth Projektligjit për ratifikimin e MSA-së do të debatojë Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat