Pacolli i kundërpërgjigjet ambasadorit serb

Kosova

Pacolli i kundërpërgjigjet ambasadorit serb

Më: 7 nëntor 2015 Në ora: 14:22

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli i ka reaguar ambasadorit serb në UNESCO, duke thënë se gjuha e tij ishte jodoplomatike dhe reagim ndaj punës së madhe që po e bën Kosova për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
“Ky shtim vëmendje ndërkombëtare nuk ka lidhje me politikën, me konfliktin, por me pajtimin dhe me paqen, me arsimin, me kulturën e të gjithë banorëve të Kosovës, pa dallim etnie apo feje. Askush nuk ka të drejta ekskluzive pronësore mbi pasuritë kulturore të Kosovës, veç popullit tonë, banorëve të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Ky është reagimi i plotë i Pacollit

Me një gjuhë të padenjë për një diplomat, me cilësime që ndaj nesh shpesh në Prishtinë janë të ndonjë gojëndyri, apo penëndyri, ambasadori i Serbisë në UNESCO ka reaguar ndaj lobimit tim në Paris, bashkë me ministrin e jashtëm Hashim Thaçi.

Unë dua ta ftoj zotërinë në fjalë të ruajë qetësinë. Nëse është e vërtetë se ne po lobojmë në korridore, atëherë ai që përfaqëson një shtet që po harxhon shumë burime për të ndaluar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, s’duhet të ketë frikë. Apo jo? Ai duhet të ketë më shumë respekt per popullin e vet,që nuk impresionohet nga rrëfimet e tij me këtë gjuhë, sepse është e qartë që në botë, kjo gjuhë nuk funksionon.

Së dyti, si po këshillohet shpesh dhe nga shumë anë, nuk ka asnjë arsye që ky anëtarësim të politizohet, apo të shndërrohet në motiv ndarjeje si ka frikë ministrja e jashtme e Spanjës.

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, do të thotë më shumë vëmendje ndërkombëtare, më shumë vëmendje e kësaj organizate për veprat kulturore, artistike, monumentet e së kaluarës, për arësimin në territorin e atdheut tonë, Kosovës ku banojnë jo vetëm shqiptarë.

Ky shtim vëmendje ndërkombëtare nuk ka lidhje me politikën, me konfliktin, por me pajtimin dhe me paqen, me arsimin, me kulturën e të gjithë banorëve të Kosovës, pa dallim etnie apo feje. Askush nuk ka të drejta ekskluzive pronësore mbi pasuritë kulturore të Kosovës, veç popullit tonë, banorëve të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat