Hoxhaj: Vizita e sekretarit Kerry, historike

Kosova

Hoxhaj: Vizita e sekretarit Kerry, historike

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 18:24

Historike e ka quajtur vizitën e Sekretarit Amerikan të shtetit edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, sipas së cilit, kjo vizitë tregon për peshën që ka Kosova në politikën amerikane.

Deklaratat e sekretarit Kerry, se Amerika nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje që cenon pavarësinë e Kosovës, sipas Hoxhajt, e bëjnë historike këtë vizitë.

“Kjo vizitë është historike për mesazhet e sekretarit i cili tha në mënyrë decidive që shteti i Kosovës dhe Kosova e pavarur është investim amerikan dhe ne nuk do të cenojmë asnjëherë këtë investim, dhe që Amerika e mbështet fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha Hoxhaj për KP.

Sipas tij, kjo vizitë është një inkurajim i politikës së jashtme amerikane që Kosova të vazhdojë me reforma, dialog e proces të shtet-ndërtimit.

“Nëse ne krahasojmë vizitën e tij në Kosovë që është vizitë bilaterale, kjo e ka edhe një rëndësi edhe më të madhe, meqë vizita në Beograd ka qenë më shumë multilaterale sesa bilaterale, kështu që është një përkrahje dhe një inkurajim i politikës së jashtme amerikane, i administratës së presidentit Obama dhe i vetë sekretarit Kerry, që ne të vazhdojmë me reforma, të vazhdojmë me dialog dhe të vazhdojmë procesin e shtet-ndërtimit, meqë jemi në një fazë kritike të tij”, tha ai.

Hoxhaj tha se i takon çdo lideri të partive politike që të marrë qëndrim për mesazhet e sekretarit Kerry, dhe se vizita e tij duhet të shihet si mbështetje që Amerika i jep Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat