Veliu: Mos e ulni përtokë çmimin e mjedrës, po luani me djersën e kultivuesve llapjan

Kosova

Veliu: Mos e ulni përtokë çmimin e mjedrës, po luani me djersën e kultivuesve llapjan

Më: 30 korrik 2016 Në ora: 14:15
Agim Veliu

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, u ka bërë thirrje grumbulluesve të mjedrës në Komunën e Podujevës që  të mos luajnë me mundin dhe djersën e kultivuesve llapjanë, duke ulur përtokë çmimin e mjedrës.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se pas një numri të madh të ankesave, të cilat ditët e fundit kanë ardhur në adresën e kryetarit të Podujevës nga kultivuesit e mjedrës për lojën me çmimin e këtij prodhimi, ai u ka bërë apel pikave të grumbullimit të mjedrës që mos të luajnë me çmimin e  mjedrës, ngase kjo kulturë është shndërruar në elementin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit të qytetarëve të Komunës së Podujevës.

“Kjo kulturë është krenari dhe brend i këtij qyteti, ngase falë punës për kultivimin e saj shumë familje po i sigurojnë të ardhurat me të cilat mbajnë familjet e tyre, dhe po angazhojnë shumë punëtorë sezonal, prandaj si e tillë kjo veprimtari meriton të trajtohet me dinjitet”, tha Veliu.

Veliu më tej ka thënë se në rast se pikat e grumbullimit nuk ofrojnë kushte më të mira, atëherë do të kërkojnë mundësi të tjera për plasimin në treg të mjedrës, me çmimin e merituar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat