Hapet punishtja e karrocave për fëmijët me aftësi të kufizuara

Kosova

Hapet punishtja e karrocave për fëmijët me aftësi të kufizuara

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 07:13
Pamje nga aktiviteti

(E plotësuar) - Handikos ka hapur punishten e karrocave për fëmijët me aftësi të kufizuara, e para e këtij lloji në Kosovë, e cila do t’ju lehtësojë atyre lëvizjen e lirë.

Po ashtu, këto karroca, fëmijëve do t’u ndihmojnë që ata të jenë më të pavarur dhe të integrohen më lehtë në arsim, shoqëri dhe në jetën e përditshme.

Drejtori i Organizatës “Handikos”, Afrim Maliqi, ka thënë se punishtja është hapur duke parë nevojën që kanë pasur fëmijët e kësaj kategorie.

Ai ka bërë të ditur se këtë javë janë sjellë disa karroca, të cilat janë montuar dhe u janë shpërndarë fëmijëve.

Maliqi: Fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të integrohen në arsim e shoqëri

“Ideja për këtë punishte ka filluar qysh para dy viteve, duke pa nevojën që në veçanti fëmijët të pajisen me karroca të përshtatshme, në mënyrë që fëmijët të jenë sa më të pavarur, por edhe familjet të jenë sa më të pavarura. Që fëmijët t’i ndihmojmë në integrim në arsim, në shoqëri dhe në jetën e përditshme. Këtë normale  ka bë të mundur, zotëri Steven Sanford, ka ndihmuar duke ofruar përmes fabrikës së karrocave dhe trajnimin e personave apo stafit në mënyrë që kjo punishte të arrijë drejt finalizimit. Këtë javë kemi pas disa karroca, të cilat janë përshtat, janë montuar, janë prodhuar, janë rregulluar dhe ju janë shpërnda fëmijëve, siç edhe i patë disa këtu. Mirëpo gjithashtu do vazhdojmë edhe më tutje”, tha Maliqi. 

Në hapjen e kësaj punishte, i pranishëm ishte edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili përmendi problemet me të cilat janë përballur njerëzit në nevojë.

Abrashi thotë se në punishten e re do të ndërtohen karroca sipas nevojave të njerëzve të kësaj kategorie, ndërsa tha se përmes kësaj punishteje, do të japin një model të ndërmarrjes sociale dhe për regjionin.

Abrashi: Këto karroca do t’i ndihmojnë njerëzit në nevojë

“Punëtoria e cila do të ndërtojë karroca për njerëz në nevojë, pavarësisht sipas nevojave të tyre. këta njerëz në nevojë kanë pasur probleme dhe telashe të tyre të mëhershme, sepse kanë pasur karroca shabllon, të cilat nuk u janë përshtatur nevojave të tyre dhe shpeshherë kanë pasur ndikime negative tek ata. Tani do të ndërtohen karroca sipas nevojave të tyre, falë këshillave të miqve nga SHBA, falë shkollimit që e kanë marrë disa anëtarë të Handikosit në SHBA, të cilët tani ata do ta sjellin  në Kosovë, do të bëjnë të mira për njerëzit në nevojë dhe do të krijojnë vende të punës si dhe do të japin model të ndërmarrjes sociale edhe për regjionin”, tha Abrashi.

Në anën tjetër, Steve Doty përfaqësues i “Direct Connect” nga SHBA, tha se është kënaqësi që kanë arritur të sjellin punëtorinë e karrocave, e cila ka bashkuar njerëz të fushave të ndryshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Doty: Janë bashkuar njerëz të fushave të ndryshme, për të ndihmuar njerëzit në nevojë

“Është kënaqësi që jam sot këtu me juve edhe kënaqësi që dy vite me radhë kemi bashkëpunuar me juve që të mund të sjellim diçka siç është punuar për të sjellë punëtorinë e karrocave...ndërsa, pas takimit me Afrimin kemi punuar që të bëjmë të mundur ndërtimin e karrocave dhe pas asaj kam qenë i gatshëm të lidh Handakos me Wayne që të ndërtojnë karroca. Kështu që është dashur të bashkojmë njerëz të fushave të ndryshme me arrit qëllim me u bashku për njerëzit në nevojë”, tha Doty.

Lidhur me këtë ministria e Shëndetësisë, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe “Handikos” kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, e cila në vete ngërthen mbështetjen e të dy ministrive për “Handikos”, në hapjen e punishtes për prodhimin dhe montimin e karrocave për personat me aftësi të kufizuara.

Hapet punishtja e karrocave për fëmijë me aftësi të kufizuara

Sot do të bëhet hapja e punishtes së karrocave për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Hapjen e kësaj punishteje do ta organizojë Shoqata humanitare “Handikos”.

Në këtë kuadër, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe “Handikos”  nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila në vete ngërthen mbështetjen e të dy ministrive për “Handikos”.

Hapja e punishtes do të bëhet në Qendrën e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara në Hendikos,  në orën 13:30.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat