Në Podujevë u shënua “Dita e Mjedrës”

Kosova

Në Podujevë u shënua “Dita e Mjedrës”

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 18:09
Agim Veliu

Me aktivitete të shumta dhe me një panair të produkteve të mjedrës, në Sheshin e Qytetit në Podujevë, sot është mbajtur manifestimi tradicional “Dita e Mjedrës”.

Në manifestim kryetari i Podujevës Agim Veliu tha se “pak vite më parë, mjedra, ky frut malor, ishte pothuaj i panjohur për fermerët tanë, kurse sot mjedra e Llapit është shndërruar në projekt strategjik për Komunën tonë dhe është bërë një brend i njohur i Kosovës në tregun evropian”.

“Prandaj kjo ditë për mua është e veçantë, sepse këtu po prezantojmë aktivitetin e juaj, fermer të nderuar dhe suksesin e përbashkët, që e kemi arritur në partneritet me USAID-in. Edhe me këtë rast po e përsëris se, e gjitha nisi para disa viteve pas një takimi me përfaqësuesit e USAID-it, me zotin Mark Wood - drejtor i programit për Bujqësi, dhe propozimit për investim në fushën e kultivimit të frutave malore, në veçanti mjedrës”, tha Veliu.

“Para tri vitesh, kur për herë të parë organizuam Ditën e Mjedrës, në komunën tonë kishim 35 hektarë të mbjella me mjedër, kurse sot kjo sipërfaqe është shumëfishuar, duke arritur në rreth 700 hektarë dhe me 350 fermerë kultivues të kësaj kulture’, tha kryetari Veliu, duke thënë se me kultivimin e mjedrës është rritur edhe numri i të punësuarve, rritjen e eksportit dhe qarkullimin e mjeteve financiare nga pikat grumbulluese deri tek fermeri.

“Pavarësisht se tregu është ai që dikton çmimin e secilit produkt, pra edhe mjedrës, unë jam i vendosur në angazhimin tim që mundi dhe djersa juaj të shpërblehet dhe produkti juaj të paguhet me çmime reale.  Në këtë drejtim tashmë kemi ndërmarr hapa konkret dhe nga viti 2017, në bashkëpunim me USAID-in, do të fillojmë aplikimin i programit që ka të bëjë me certifikimin e fermerëve kultivues të mjedrës me standardin Global GAP. Ky projekt do të ndikojë si në cilësinë e produktit të mjedrës ashtu edhe në ngritjen e çmimit të saj”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu tha se përkrahja për kultivuesit e kësaj kulture nuk do të përfundojë me kaq, ku ka kërkuar edhe mbështetjen e Ministrisësë Bujqësisë që të ndajë mjete për ngritjen e kapaciteteve grumbulluese.

Ndërsa, zëvendësministri i MBPZHR, përgëzoi fermerët llapjanë prodhues të mjedrës. “Mjedra me të drejtë po konsiderohet ari i kuq i Kosovës, që po depërton fuqishëm në tregun evropian prej 500 milionë konsumatorësh, kurse mjedra e Kosovës po bëhet më e kërkuara në tregun e BE-së”, tha zv/ministri Januzi.

Drejtor i Programit AGRO në USAID, Mark Wood, falënderoi të gjithë për me kontributin e dhënë për organizimin e “Ditës së Mjedrës”. Ai tha se USAID-i është duke u angazhuar në ndërmarrjen e hapeve për plasmanin e mjedrës në tregun evropian.

“Javën e kaluar kemi pasur vizita të tre importuesve të mjedrës për tregun evropian, por para se ta bëjmë këtë ata duan të sigurohen për cilësinë e produktit. Për ta bërë këtë duhet të bëhet certifikimi i fermerëve me standardin Global GAP. Dhe më duhet t’ju them se kjo të jetë hera e parë, në Podujevë, që në një komunë diku në botë, fermerët certifikohen në grup me këtë standard”, tha Wood.

Wood tha se Kosova do të jetë një nga eksportuesit kryesorë të mjedrës në vendet e BE-së.

Të pranishmit vizituan panairin me produktet e mjedrës të organizuar për “Ditën e Mjedrës”.

Manifestimin e kanë begatuar edhe grupi i valleve i Shoqërisë Kulturore “Josip Rela” dhe grupi piktorëve të rinj, të cilët kanë ekspozuar pikturat e tyre, sipas njoftimit për media./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat