Opterusha bëhet me shkollë të re

Kosova

Opterusha bëhet me shkollë të re

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 15:10
Objekti i ri

Është përuruar objekti i ri i shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Opterushë të Rahovecit. Të pranishëm në këtë përurim ishin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi.

Kryetari i Kuvendit, Veseli tha se ndërtimi i kësaj shkolle është një “gjë e bukur dhe se komuna e Rahovecit do të ketë përkrahjen e Ministrisë së Arsimit edhe për ndërtimin e shkollave të tjera”.

Veseli tha se do të punojë që mësimi të zhvillohet vetëm me një ndërrim, si dhe theksoi se do të ndërtohen kabinete të informatikës në të gjithë Republikën e Kosovës.

Veseli: Ne do të marrim përgjegjësi për rininë tonë

“...Kjo është një shkollë e jashtëzakonshme për çka e përgëzoj kryetarin e komunës profesorin Idriz Vehapi që e ka ndërtu këtë shkollë me mjete vetanake, në të njëjtën kohë e ka përkrahjen e fuqishme të ministrit të Arsimit edhe për disa shkolla në gjithë komunën e Rahovecit...ne do të marrim përgjegjësi për rininë tonë në mënyrën që të kenë nxënësit tonë një ndërrim në shkollimin, në të njëjtën kohë të përmirësohet mirëqenia materiale e mësimdhënësve...pastaj informatika duhet të jetë sa ma shpejt kemi bashkëbiseduar edhe me ministrinë  arsimit është një projekt i cili është i vonuar, gjitha shkollat në republikën e Kosovës duhet të jenë me kabinete të informatikës...” , tha Veseli.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Bajrami përgëzoi kryetarin e komunës për ndërtimin e kësaj shkolle dhe tha se ky është shembull i mirë i kujdesit për banorët e këtij fshati, sepse tani ata do të kenë një shkollë ku fëmijët e tyre do të marrin edukim cilësor.

Bajrami: Ne po ngrisim cilësinë e shkollave që t’ju ofrojmë fëmijëve edukim cilësor

“Ne po ndërtojmë vërtet shkolla me standarde shumë të larta por kjo është vetëm gjysma e punës sepse puna tjetër është që të ngrisim cilësinë e shkollave që këtyre fëmijëve t’ju ofrojmë një arsim dhe edukim cilësor dhe mendoj se ka një vullnet edhe të mësimdhënësve edhe të prindve edhe nxënësve që ne mund të punojmë për të ndërtuar një sistem cilësor të edukimit...”, tha Bajrami.  

Ndërkaq, kryetari i komunës së Rahovecit, Vehapi tha se ndërtimi i këtij objekti mundëson kushte më të mira për mësimdhënësit dhe nxënësit e këtij fshati, ai gjithashtu tregoi se do të fillojë ndërtimi i një shkolle tjetër në fshatin Kramovik dhe se komuna e Rahovecit është përqendruar në krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Vehapi: Jemi duke i kushtuar rëndësi fushës së arsimit

“Wshtë një objekt i ri shkollor i cili mundëson kushte më të mira për mësimdhënësit dhe nxënësit e këtij fshati, është objekti i dytë shkollor sivjet që kanë fillu nxënësit në objekt të ri...gjithashtu do të filloj ndërtimi i një shkolle në fshatin Kramovik brenda javës apo 10 dite do ta vejmë gur themelin e atij objektid.m.th. jemi duke i kushtu rëndësi fushës së arsimit, krijimit të kushteve infrastrukturore për nxënësit dhe mësimdhënësit...” , tha Vehapi.

Kurse, Skënder Krasniqi, drejtor i shkollës e cilësoi ditën e sotme si ditë fatlume për stafin dhe nxënësit e këtij fshati sepse tani po plotësohen kushtet dhe standardet për një mësimdhënie dhe avancimin e mësim nxënies. 

Gjatë bashkëbisedimit me kryetarin e Kuvendit dhe ministrin e Arsimit, një nxënës tregoi që mësimin deri tani e ka vijuar në shkollën e vjetër dhe se tani ai ndihet i gëzuar që do të vazhdoj në shkollën e re. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat