Grupi i Grave Deputete thellojnë bashkëpunimin me zyrën e BE-së në Kosovë

Kosova

Grupi i Grave Deputete thellojnë bashkëpunimin me zyrën e BE-së në Kosovë

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 20:20
Takimi

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova u takua të enjten me Grupin e Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.

Këto dy institucione do të mbajnë takime të rregullta për të shqyrtuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me gratë, si dhe forcimin e pozitës së tyre në vendimmarrje.

Shefja e Bashkimit Evropian në Kosovë Natalia Apostolova tha se është e impresionuar me fuqinë e grave që janë pjesë e Grupit të Grave Deputete.

Apostolova përgëzoi Grupin e Grave për punën e tyre në fuqizimin e grave dhe për qëndrimin e tyre të fortë se gratë duhet të kenë një vend të barabartë në politikë, vendimmarrje dhe si e tillë edhe në shoqëri.

"Roli i gruas në shoqëri është shumë i rëndësishëm. Barazia gjinore është një nga vlerat evropiane, dhe për këtë arsye çështjet gjinore janë lartë në agjendën e BE-së", tha Apostolova dhe u zotua për mbështetjen e saj në mënyrë që Gratë e Kosovës t'i shohim më të fuqizuara dhe më mirë të pozicionuara në shoqërinë kosovare në të ardhmen.

Apostolova dhe përfaqësueset e Grupit të Grave diskutuan çështjet e zbatimit të dobët të ligjit, dhunën në familje, statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga periudha e konfliktit, punësimit të grave dhe diskriminimit në procesin e punësimit, si dhe bashkëpunim me gratë nga veriu i Kosovës për të siguruar që edhe zërat e tyre do të dëgjohen.

Pika të bashkëpunimit të cilat u shpalosën nga kryetarja e Grave Deputete Blertë Deliu Kodra, e për të cilat mori përkrahje nga Shefja e Zyres se BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-se, ishin: realizmi i projekteve të cilat kontribuojnë në parandalimin e dhunës familjare, fuqizimin e politikave për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore sikurse edhe integrimi i asambleisteve të Veriut në të gjitha proceset politike në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat