'Kryetari Bashota anashkalon obligimin ligjor dhe publikun'

Kosova

'Kryetari Bashota anashkalon obligimin ligjor dhe publikun'

Më: 9 janar 2017 Në ora: 10:05
Kuvendi Komunal i Klinës

Organizata Jo Qeveritare KOHA, përmes projektit “Politika Publike me Pjesëmarrje Aktive të Publikut” të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe të zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, ka filluar monitorimin e debateve dhe takimeve me publikun të organizuara nga Komuna e Klinës, krahas aktiviteteve tjera të projektit. 

OJQ KOHA, gjatë monitorimit të takimit me publikun të datës 29, Dhjetor 2016, ka vërejtur shkelje të Ligjit dhe injorim të publikut, me ç’rast në vend të kryetarit të Komunës i pranishëm, për të raportuar mbi gjendjen ekonomik-financiare të Komunës, ishte vetëm nënkryetari i Komunës. Kjo shkelje ndodhi vetëm për shkak të prerjes së shiritit të nisjes së punimeve në Shkollën Fillore ‘’Ismet Rraci’’, që për Kryetarin, drejtorët e drejtorive dhe një pjesë të madhe të stafit ishte me e rëndësishme se sa përmbushja e obligimit ligjor.

Udhëzimi Administrativ i MAPL-së nr. 01/2015 për Transparencë në Komuna, Ligji për Vetëqeverisje Lokale, Statuti i Komunës, po ashtu edhe Rregullorja Komunale për Transparencë obligojnë Komunën të mbajnë dy takime në vit. UA për Transparencë, si edhe Rregullorja Komunale për Transparencë, në nenin 6, pika 9, përkatësisht neni 7, pika 5, flasin qartë për pjesëmarrjen e obligueshme të Kryetarit të Komunës, Kryesuesit, Nënkryetarit, Drejtorive Komunale, etj.

Komuna, po ashtu ka shkelë Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, UA për Transparencë në Komuna, Statutin e Komunës dhe Rregulloren Komunale për Transparencë, meqë njoftimi nuk është bërë dy javë me herët sikur e sanksionojnë nenet e të njëjtave. Mbajtja e takimit të lartpërmendur me publikun ka qenë i njoftuar dhe paraparë të mbahej me datë 27, Dhjetor 2017, mirëpo Komuna e Klinës në momentet e fundit ka ndryshuar datën duke vendosur që ky takim të mbahej me datën 29, Dhjetor 2019. Njoftimi për ndryshim të datës nuk ka mundur të arrijë qytetarët si pasojë e mosfunksionimit të ueb-faqes së Komunës, si i vetmi mjet Komunikimi ne distancë në mes të qytetarëve dhe Komunës. Komuna e Klinës, përveç tabelës në objektin e Komunës apo objekte tjera publike, nuk ka përdorur mjete të tjera të njoftimit të publikut. Komuna nuk ka njoftuar as stafin e OJQ KOHA-së, edhe pse OJQ KOHA ka njoftuar qytetarët përmes radios lokale, si dhe përfaqësuesit e fshatrave përmes telefonit, lidhur me mbajtjen e takimit me publikun. Stafi i OJQ KOHA-së, veç rastësisht ka dëgjuar për ndryshimin e datës së takimit me publikun dhe kështu është detyruar të ndryshojë edhe datat e njoftimit në emitimin e spotit në radio, si edhe të komunikoj përmes telefonit me përfaqësuesit e fshatrave. Që ishte komplikim i skajshëm.

Si rezultat i gjithë kësaj pjesëmarrja në takimin me publikun ka qenë tejet e ulët, ku vetëm 8 qytetarë kanë qenë të pranishëm. Nga ana e Ekzekutivit të Komunës të pranishëm ishte vetëm nënkryetari i Komunës i cili raportoi gjatë takimit, derisa me vonë erdhi dhe drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit. Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Komunës anashkalon këto raportime. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2015, Komuna e Klinës kishte dështuar të organizonte takimin me publikun për t’i informuar mbi gjendjen ekonomiko-financiare dhe planet investuese në Komunë, sipas nenint 68 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

OJQ KOHA shpreh shqetësimin e saj me pjesëmarrjen aq të ulët të qytetarëve në takimet me publikun, të cilat rrjedhin si rezultat i organizimeve të dobëta nga ana e Komunës së Klinës, dhe si rezultat i mos interesimit për të marrë pjesë meqë të njëjtit ndihen të anashkaluar nga organet Komunale dhe zyrtarët publik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat