KOMF alarmon për rrezikun e mbylljes së shërbimeve të ofruara për fëmijët në nevojë

Kosova

KOMF alarmon për rrezikun e mbylljes së shërbimeve të ofruara për fëmijët në nevojë

Më: 30 janar 2017 Në ora: 12:28
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i cili përfaqëson njëzet e dy organizata jo qeveritare, në kuadër të misionit për avokim në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, i është drejtuar ministrit për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe komunave të Kosovës, duke i alarmuar për rrezikun e mbylljes së shërbimeve të ofruara nga sektori jo-qeveritar për fëmijët të cilët kanë nevojë për përkujdesje në strehim rezidencial dhe shërbime ditore. Kjo si pasojë që sektori jo qeveritar po ballafaqohet me sigurimin ekzistencial apo qëndrueshmërinë financiare duke rrezikuar mbylljen dhe ndërprerjen e ofrimit të këtyre shërbimeve për fëmijët.

Nisur nga kjo gjendje e rëndë e krijuar, KOMF ka kërkuar masa të menjëhershme nga MPMS dhe Komunat për sigurimin e buxhetit për të garantuar të drejtën e fëmijës për mbrojtje, e drejtë kjo e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin vendor në fuqi.

Fëmijët të cilët strehohen në strehim rezidencial dhe fëmijët të cilët marrin shërbime dhe përkujdes ditor nga sektori jo qeveritar, janë fëmijët më të cënueshëm. Sipas legjislacionit në fuqi shteti duhet të garantojë mbrojtjen për këta fëmijë. Këta janë kryesisht fëmijët pa përkujdes prindëror, fëmijët viktima të dhunës, abuzimit, fëmijët në rrezik për tu trafikuar dhe viktima të trafikimit me rrezikshmëri të ulët dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

KOMF apelon që MPMS dhe komunat të marrin masa emergjente për mos mbylljen e këtyre shërbimeve të cilat janë thelbësore për të siguruar mbrojtjen, rehabilitimin dhe reintegrimin e fëmijëve, të drejta këto të garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi i Republikës së Kosovës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat