IPK: Në vitin e kaluar u shtua numri i ankesave, arrestuam 59 zyrtarë policorë

Kosova

IPK: Në vitin e kaluar u shtua numri i ankesave, arrestuam 59 zyrtarë policorë

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 15:22
Inspektorati Policor i Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përgjatë vitit 2016 ka pranuar një numër shumë më të madh të ankesave nga qytetarët lidhur me situata të ndryshme, krahasuar me vitin paraprak.

Për drejtuesit e këtij inspektoratit që mbikëqyrë punën e policëve, besimi i qytetarëve në këtë institucion është një përkrahje shumë e madhe për ta shtuar përkushtimin në punën e tyre.

Kështu edhe është vlerësimi që tregon Raporti përmbledhës i punës së Inspektoratit Policor të Kosovës përgjatë vitit 2016, në të cilin janë prezantuar edhe aktivitetet e ndërmarra bazuar në ligjet në fuqi.

Me këtë rast, kryeshefi i IPK-së, Hilmi Mehmeti, deklaroi se përgjatë gjithë vitit i kanë trajtuar me kujdes dhe vëmendje të plotë të gjitha ankesat e qytetarëve drejtuar institucionit që ai drejton.  Kryeinspektori policor tha se besueshmëria më e madhe ndaj institucionit është arritur kur janë arrestuar 59 zyrtarë policorë, çka edhe ka ndikuar në përmirësimin e imazhit të Policisë së Kosovës.

Mehmeti: IPK ka trajtuar një numë të madh të ankesave të qytetarëve

“Në kuadër të angazhimeve dhe përgjegjësive ligjore që kishim në vitin 2016 Inspektorati Policor i Kosovës ka trajtuar një numër të madh të ankesave të qytetarëve. Ka zhvilluar shumë inspektime në fusha të ndryshme për punën e Policisë së Kosovës ka trajtuar një numër të konsiderueshëm të veprave penale. Vlen të përmendët në veçanti rasti i fundit i fundvitit, ku pas një hulumtimi disa mujorë fal angazhimit të hetuesve të inspektoratit policor të Kosovës janë arrestuar 59 zyrtarë policorë, ku i gjithë aktiviteti është zhvilluar në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit. Ndonëse, kishte opinione të tilla se arrestimet të një numri kaq të madh të zyrtarëve policor në të njëjtën kohë do të zbehë imazhin e Policisë së Kosovës si një ndër institucionet më të besueshme në vend. Ne mendojmë që vetëm me masa të tilla mund ti ndihmohet Policisë së Kosovës që është edhe qëllim edhe politikë e ministrisë e punëve të brendshme por edhe vet të menaxhmentit të Policisë së Kosovës”, deklaroi Mehmeti.

Gjatë vitit 2016 Inspektorati Policor i Kosovës ka arritur të përfundoj dy zhvillime të përbashkëta me autoritet e Shqipërisë, në fushën e kufirit dhe në fushën e komunikacionit, të cilat edhe janë nënshkruar në raporte përfundimtare.

Mehmeti bëri të ditur se IPK ka marrë pjesë edhe në dy nisma ndërkombëtare, një rajonale në Podgoricë dhe tjetra që u mbajt në Riga në Letoni.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, deklaroi se nuk do t’i lejohet askujt ta prish imazhin e shkëlqyer të Policisë së Kosovës dhe me këtë përgjegjësi ngarkohet edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Hyseni: IPK nuk do ta lejojë askënd ta dëmtoj imazhin e Policisë së Kosovës

“Është detyrë e qeverisë së Kosovës në mënyrë më specifike e Ministrisë të Punëve të Brendshme ta përkrahë në mënyrë të veçantë Inspektoratin Policor të Kosovës, sepse derisa unë vazhdoj të them se Policia e Kosovës është palca kurrizore e shtetit, Inspektorati Policor është baza kryesore e kësaj palce kurrizore. Inspektorati Policor i Kosovës është aty për tu siguruar që asnjëherë nuk do të lejojë që ndonjë individ i pa përgjegjshëm në policinë e Kosovës ta prishë imazhin e shkëlqyer të policisë së Kosovës. Sepse republika e Kosovës ka një polici mjaftë profesionale, prandaj kjo e shton edhe një detyrë më shumë te inspektorati i policisë së Kosovës që të sigurohemi që atë polici ta ruajë si të tillë dhe nuk do të lejojmë individët siç ishin ata 59 ta prishin imazhin e kësaj policie dhe ta dëmtojnë besimin që në popull ekziston për Policinë e Kosovës. Prandaj unë e them pa hezitim se inspektorati policor i Kosovës, i nderuar kryeshef Ilmi Mehmeti, të nderuar prestarë të inspektoratit , ju të gjithë së bashku keni një mision të shenjët, që të përkujdesemi për pastërtinë dhe rregullaritetin në Policinë e Kosovës”, tha Hyseni.

Përndryshe, nga raporti që u prezantua sot, del se gjatë vitit 2016, IPK-ja ka hetuar 24 zyrtar të graduar nga Policia e Kosovës.

Ku një prej tyre ka qenë me gradën major, një kapiten, 11 togerë, 11 rreshterë, 203 zyrtarë policorë dhe 14 punonjës nga stafi civil.

Gjatë vitit 2016 IPK-ja, ka hetuar raste të llojeve dhe natyrave të ndryshme, mirëpo pesë rastet më të shpeshta që u hetuan ishin:

45 raste rrezikim të trafikut publik,

39 raste keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar,

31 raste lëndim të lehtë trupor,

14 raste keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare,

13 raste marrje të ryshfetit.

Në anën tjetër, Inspektorati Policor edhe gjatë vitit të kaluar i ka kushtuar vëmendje veprave me elemente të korrupsionit zyrtaret dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare dhe ka rezultuar me 39 vepra të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, 13 vepra të marrjes së ryshfetit, dy vepra të zbulimit së fshehtësisë zyrtare dhe një vepër të përvetësimit në tyre.

IPK ka arritur që 89.7 për qind të rasteve t’i hetoj dhe procedoj në prokurori me kallëzim penal ose raport të veçantë.

Sipas statistikave të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, qytetarët kanë shënuar rritje sa iu përket ankesave në krahasim me vitin e kaluar. Ku muaji korrik, gusht dhe nëntor kanë qenë muajt më të ngarkuar sa iu përket atyre dhe mesatarja për ankesa është 113 ankesa për muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat