Izbica kërkon drejtësi për të vrarët

Kosova

Izbica kërkon drejtësi për të vrarët

Më: 28 mars 2017 Në ora: 16:25
Lodhja dhe sëmundja nga pleqëria nuk e ndaluan Arife Kajtazi-Geci, që edhe sivjet të vijë në Izbicë.

Lodhja dhe sëmundja nga pleqëria nuk e ndaluan Arife Kajtazi-Geci, që edhe sivjet të vijë në Izbicë. Në këtë fshat të Drenicës është varrosur vëllai i saj hasretit para 18 vitesh.

Vëllai i Arifes,  Rexhë Kajtazi është në mesin e 147 shqiptarëve që më 28 mars të vitit 1999 u vranë dhe u masakruan në Izbicë.

Ndonëse është përvjetori i 18-të për këtë masakër dhe masakrat tjera ende nuk është dënuar askush.

Por shpresat se do ta sheh dikë që dënohet për vëllain e saj nuk kanë humbur për Arife Kajtazin-Geci. Ajo shpreson se një ditë do  të dalin para drejtësisë ata që i bënë këto masakra.  

Kajtazi-Geci: Një vëlla e pata, edhe ai më shkoi

“Këtë vëlla e kam pasur për mall, edhe ky shkoi, Inshallah dheu i lehtë i qoftë...vallain veç duhet me ditë që Zoti është një, se boll vështirë, çka me ba, një dritë të synit e pata edhe ky shkoi, po qa me ba...Inshalla, masi ka Zot, mbajmë ymyt, Inshalla masi kemi Zot, kemi tana, se rënd boll”, tha ajo.

Drejtësi për të vrarët e Izbicës kërkoj edhe Izet Duraku, babai i të cilit u vra para 18 vitesh në këtë fshat.

Duraku: Për këtë masakër s’u dënua askush

“Këtu e kam babën dhe pesë kushërinjtë tjerë, janë masakruar në masakrën e Izbicës kur forcat serbe hynë këtu me dhunë, duke dal me familje, fëmijë, gra, duke marr hak në civil, njerëz të pafajshëm, të pambrojtur. E sot bëhen 18 vjet, asnjë kriminel serb nuk është dënuar për këtë masakër që ka bërë këtu në Izbicë e krejt Kosovën. Sot dënohen njerëz të pafajshëm, dënohen gjeneralët tanë duke mbrojtur pragun e shtëpisë. Këta janë dëshmorë që fal gjakut të tyre e gëzojmë sot lirinë”, tha Duraku.

Në Izbicë për pak minuta qëndroi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Vesel, por i cili nuk qëndroi për të marrë pjesë në manifestimin qendror.

Duke kujtuar dhe nderuar viktimat, kreu i legjislativit theksoi se ky është çmimi i lirisë së Kosovës, një sakrificë e jashtëzakonshme njerëzore, nga foshnjat deri te njerëzit e palëvizshëm.

Veseli: Kosova dhe populli i saj s’do të jenë më kurrë të pambrojtur

“Lavdia është e përjetshme për këta të rënë, ne nuk do t’i harrojmë kurrë dhe do të punojmë deri në fund që drejtësia të vihet në vend. Ajo çka është më kryesore, kurrë më në tokën tonë nuk do të ketë situata të tilla, kurrë më Kosova jonë, populli i saj kurrë më nuk do të jenë të pambrojtur. Për këtë, garanci janë institucionet e Republikës së Kosovës, me të gjithë mekanizmat e vet si shtet i pavarur dhe sovran”, theksoi Veseli.

Para homazheve në Izbicë, kryetari Veseli ka zbuluar pllakën përkujtimore në fshatin Kopiliq në vendin ku më 28 mars 1999, nga forcat serbe ishin vrarë motrat Ardita Behrami 13 vjeçe dhe Edona Behrami 5 vjeçe.

Duke folur në manifestimin qendror që u mbajt pranë varrezave të të vrarëve,  nënkryetari i komunës së Skenderajt Fadil Nura tha se lufta solli lirinë, por bashkë me të solli edhe dhimbjen për humbjen e famuljarëve.

Nura: Lufta për liri solli lirinë në këtë vend, por solli edhe dhimbje

“Lufta për liri e udhëhequr nga UÇK-ja solli lirinë në këtë vend, por bashkë me të, solli edhe dhimbjet për humbjet e më të dashurve tanë. Secili nga ne që sot ka një histori të dhimbshme dhe krenare për heroizmin dhe sakrificën e vëllezërve dhe motrave tona, për heroizmin dhe sakrificën e baballarëve dhe nënave tona. Pushtuesi serb shpesh duke mos mundur të përballej me trimërinë dhe vetëmohimin e bijve me të mirë të Kosovës, u hakmor duke vrarë e masakruar, gra, pleq e fëmijë, faji i vetëm ishte në trojet e tyre stërgjyshore dhe pse ishin shqiptarë”, tha Nura.

Një fjalë rasti në këtë ceremoni ka mbajtur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari.

Ai tha se Izbica është shkolla e parë se si duhet të mësohet historia, të cilën është dashur, të cilën duhet dhe të cilën doemos do të mësohet një ditë, por që siq tha Jashari “askush nuk na falë pse ky mësim është vonuar kaq shumë”.

Jashari: Mësimi i tillë i historisë na solli Gjykatën Speciale

“Jo vetëm të thuhet me dy tre rreshta në librat e historisë së fëmijëve tanë, fëmijëve të të vrarëve dhe të masakruarve se lufta ka filluar me 28  nëntor 1997 dhe ka përfunduar me 12 qershor 1999. Jo vetëm të thuhet me një fjali se Sylejman Selimi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, kurse Sami Lushtaku komandant i zonës së Drenicës, dhe këta të përmenden vetëm kur i burgosin. Ky mësim i historisë në këtë mënyrë ka bërë që të krijohen edhe Gjykata Speciale, ka bërë që luftëtarët e lirisë të mbahen me vite nëpër burgje në Kosovë, të mbahen në Gjykatën e Hagës me vite të tëra, ndërsa ne flasim nëpër akademi përkujtimore, flasim në përvjetor të të rënëve për liri, flasim kur i përkujtojmë masakrat e shumta anë e kënd Kosovës siç po flasim edhe sot këtu për masakrën e Izbicës”, tha Jashari.

Pas fjalimeve dhe homazheve për nder të të rënëve është shfaqur edhe një program kulturoro-artistik.

Masakra e Izbicës është njëra ndër  masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë. Forcat serbe për një ditë kanë vrarë civilë  shqiptarë ku më vonë janë kthyer në vendin e krimit dhe për të humbur gjurmët kufomat e tyre i kanë marrë dhe i kanë dërguar në varrezat masive.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat