Reçica: Arti që kultivon Strati, vlerë e rrallë unike

Kosova

Reçica: Arti që kultivon Strati, vlerë e rrallë unike

Më: 18 prill 2017 Në ora: 16:14
Saimir Strati dhe Elmi Reçica

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, priti të martën në takim artistin shqiptar të mozaikëve, me famë botërore, Saimir Strati.

Strati e njohu kryetarin Reçica me veprimtarinë e tij artistike, të veçantë e të njohur ndërkombëtarisht, të vlerësuar lart nga kritika botërore.

Fituesi i disa çmimeve Guinness, Strati theksoi përkushtimin për të promovuar, nëpërmjet veprave të tij artistike, vlerat kombëtare, duke i bërë ato të njohura anekënd botës. Në këtë drejtim, ai theksoi nevojën e një mbështetjeje më të madhe për artin nga politika dhe institucionet në përgjithësi. 

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, duke e konsideruar artin që kultivon Strati si një vlerë të rrallë unike, theksoi se artistë të tillë arti duhen mbështetur nga të gjithë, sepse, siç tha ai, ata përbëjnë misionin më të mirë përfaqësues të një shteti dhe kombi.

Po ashtu, Reçica vlerësoi lart punimet artistike të Strati, në veçanti portretin e humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza, të punuar në kopsa teli.

Ndryshe, sonte në Muzeun Kombëtar të Kosovës, organizohet ceremonia e rekordit të 10-të Guinness nga artisti Saimir Strati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat