Hapet zyra e bioetikës mjekësore në Kosovë

Kosova

Hapet zyra e bioetikës mjekësore në Kosovë

Më: 20 prill 2017 Në ora: 19:22
Zyra e njësisë së bioetikës mjekësore

Të enjten, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), është hapur zyra e njësisë së bioetikës mjekësore.

Amnon Carmi, udhëheqës i UNESCO (Haifa) Chair in Bioethics, tha se ndjehet i lumtur që ka rastin të jetë në Kosovë e cila tashmë është anëtare e barabartë e Unesco (Haifa) Chair in Bioethics.

Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj falënderoi prof. Carmin për gjithë kontributin që ka dhënë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë shumë të rëndësishme dhe për praninë e tij në Kosovë.

Në anën tjetër, duke folur për rëndësinë e hapjes së kësaj zyre, udhëheqësi i saj, dr. Miftar Zenelaj, tha se tashmë edhe në Kosovë ka një zyrë e cila do të merret dhe do të trajtojë çështjen e bioetikës mjekësore.

Përkrahje dhe falënderime për prof. Carmin dhe hapjen e kësaj zyre, bëri edhe dr. Izet Sadiku, zv. ministër i Shëndetësisë, i cili tha se përkrahje nuk do të mungojë për këtë zyrë në të mirë të trajtimit të çështjeve të bioetikës në mjekësi.

Prof. Ass, Kreshnik Hoti, prodekan për çështje akademike në Fakultetin e Mjekësisë, tha se në kuadër të kurrikulës dhe lëndëve në Fakultetin e Mjekësisë, mësohet edhe për bioetikën mjekësore dhe hulumtimet përmes kësaj zyre do të ndihmojnë Fakultetin e Mjekësisë.

Në fund të ceremonisë, prof. Carmi, mbajti ligjëratë për të pranishmit në amfiteatrin e Telemjekësisë dhe u përgjigj në interesimin e profesionistëve shëndetësore dhe përfaqësueseve të medieve. 

Ndryshe, Kosova është anëtare e barabartë në mesin e 124 shteteve të botës që nga muaji gushti i vitit 2015 në UNESCO Chair on Bioethics. Kjo është një organizatë ndërkombëtare nën ombrellën e UNESCO-së, e themeluar në vitin 2001 dhe merret më edukimin etik në arsimin e ultë, mesëm dhe në arsimin e lartë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat