Ekspertët e AAK-së kërkojnë që të trajtohen dhe të zgjidhen problemet alarmante me Tokën

Kosova

Ekspertët e AAK-së kërkojnë që të trajtohen dhe të zgjidhen problemet alarmante me Tokën

Më: 22 prill 2017 Në ora: 00:08
AAK

22 Prilli na i kujton të gjithë neve, pa dallim, përgjegjësitë për këtë ditë të veçantë, në të cilën duhet të shprehim mirënjohje ndaj Tokës, për faktin se ky Planet i mbështet të gjitha format e jetësës që rriten, zhvillohen dhe jetojnë në të.

Kur kemi parasysh problemet dhe shqetësimet alarmante që po ndodhin me Tokën si: degradimi, braktisja, tjetërsimi dhe keqpërdorimi i saj, është shumë e qartë se kjo ditë duhet të na vetëdijesojë që të tregohemi shumë më të kujdesshëm ndaj Tokës. Për të mirën tonë, për të sotmen. Por edhe më shumë, për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Edhe në Kosovë, qasja ndaj tokës lë shumë për të dëshiruar.

Ekspertët e Departamentit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të AAK-së, kërkojnë që të trajtohen dhe të zgjidhen problemet alarmante me Tokën, nga institucionet përgjegjëse shtetërore, me theks të veçantë MBPZHR-ja dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kërkojmë që Institucionet e Republikës së Kosovës që ta bëjnë traditë që Dita e Tokës të shënohet me një varg aktivitetesh,e dhe në mbrojtje të tokës, edhe në vetëdijesim të qytetarëve për nevojën emergjente të mbrojtjes së saj. Të gjithë ne, të mbjellim fidanë, t’i pastrojmë hapësirat publike, të rregullojmë lulishtet, të marrim pjesë në aktivitete të rritjes së ndërgjegjësimit qytetar ndaj çështjeve mjedisore.

Toka në vendin tonë duhet të ketë mbikëqyrje institucionale të vazhdueshme dhe të organizuar. Nisur nga kjo, ekspertët e Departamentit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të AAK-së tërheqin vërejtjen që të mos e lëmë Tokën të degradohet nga uzurpimet, tjetërsimet e egra, keqmenaxhimi, ndotja nga zonat industriale, dëmtimet nga prerjet dhe djegiet masive të pyjeve, të cilat për vite po na shkaktojnë edhe erozion të tokave bujqësore.

Për Departamentin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të AAK-së, Dita e Tokës na sfidon ta marrim seriozisht punën tonë si kujdestarë të mjedisit natyror, na bën të shqetësohemi rreth mbrojtjes së mjedisit, natyrës dhe biodiversitetit të saj.

Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, por jo të pakapërcyeshme. Për këtë kërkojmë masa urgjente, pavarësisht se çfarë roli kemi: qytetar apo konsumator, prodhues apo promotor, së bashku të gjithë duhet të luajmë rol vendimtar, sepse kemi përgjegjësi, nëse me të vërtetë duam që të thithim ajër të pastër, të pimë ujë të shëndetshëm, të konsumojmë ushqim të pakontaminuar, të kemi rrugë të qeta, peizazhe të mbrojtura, pra një vend më të shëndetshëm për të jetuar.

Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së konsideron se rritja e përgjegjësisë individuale, është çelësi kryesor për të lëvizur nga ndërgjegjësimi drejt veprimit, duke e kthyer njeriun në ekuilibër me natyrën.

Planeti Tokë është përgjegjësi e jona. Të kujdesemi për ta mbajtur atë çdo minutë, çdo orë e çdo ditë e jo vetëm më 22 Prill. Që brezave të ardhshëm t’u lëmë një tokë të pastër, të pakontaminuar, një tokë që duhet ta duam dhe ta mbrojmë pandalshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat