Kosova nis hapat drejt anëtarësimit në EITI

Kosova

Kosova nis hapat drejt anëtarësimit në EITI

Më: 22 prill 2017 Në ora: 16:20
EITI

Zv. ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi, ka thënë të shtunën se me rastin e anëtarësimit në EITI, Kosova përmirëson klimën investive për të nxitur investitorët dhe institucione financiare ndërkombëtare.

Ajo këto komente i bëri në hapje të punëtorisë  “Procesi i anëtarësimit të Kosovës në EITI (Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse), organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur KFOS, që u mbajt në Tiranë.

Duke përkujtuar se Kosova është e pasur me resurse minerare, të cilat paraqesin potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, zv.ministrja Gashi theksoi se në këtë kontekst Qeveria i ka dhënë përparësi qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë dhe krijimit të kushteve për investime.

“Kosova ka 11 zona të interesit që përfshijnë zona të pasura me resurse minerare dhe investimet në këto zona do të mund të bëhen tashmë lehtësisht nga investitorë kredibil, nëpërmjet Ligjit për Investime Strategjike që krijon lehtësi për kompanitë e mëdha që duan të sjellin kapitalin e tyre investues ne Kosovë”, tha Gashi.

Për më tepër, ajo ka theksuar se kjo iniciativë është e paraparë edhe në dokumentin strategjik Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës 2012-2025.

“Kjo nismë është e rëndësishme për të gjitha vendet, të cilat janë të pasura me resurse minerale dhe si e tillë ka mbështetjen e plotë nga kryeministri Mustafa  dhe

ministri Stavileci. Anëtarësimi në EITI, nënkupton vendosjen dhe mbikëqyrjen e transparencës në industrinë nxjerrëse të burimeve natyrore, duke ndihmuar kështu që të ardhurat nga kjo fushë të ndikojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Gashi.

Ingilab Ahmadov, drejtor i EuroAsia Hub, ka treguar dobitë që përfitojnë vendet nga kjo nismë ku janë 52 shtete anëtare. Sipas tij EITI është proces mjaft sfidues për shkak të trekëndëshit që përshin ky proces siç  janë Qeveria, kompanitë dhe shoqëria civile.

“Qëllimi është që  resurset natyrale të kthehen në pasuri publike për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm”, tha Ahmedov.

Ndërsa, Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i KFOS-it, tha se iniciativa për anëtarësimin e Kosovës në EITI ka marrë mbështetje nga Qeveria e Kosovës dhe kjo sipas tij do t’i ndihmojë vendit edhe në transparencë rreth shfrytëzimit të resurseve minerale, përfshirë ndikimin në zhvillimin ekonomik të vendit .

Kësaj nisme i ka dhënë mbështetje edhe deputetja Sala Berisha Shala, e cila ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës  në EITI është i një rëndësie të veçantë respektivisht mundëson zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkaq, Oleksiy Orlovsky anëtar i Bordit të EITI tha se është i përkushtuar ta ndihmojë Kosovën dhe Shqipërinë në hapat drejt anëtarësimit në EITI, duke shtuar se ai do t’i ofrojë përvojat më të mira në mënyrë që Kosova të jetë sa më parë pjesë e EITI.

Ndryshe, standardi EITI nënkupton vendosjen dhe mbikëqyrjen e transparencës në industrinë nxjerrëse të burimeve natyrore duke ndihmuar që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit.

Kësaj  nisme përkrahje i kanë dhënë shumë organizata ndërkombëtare siç janë  Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Këshilli Ndërkombëtar për Xehe dhe Metale, përfshirë  Millenium Challenge Corporation (Agjencion i pavarur amerikan).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat