Skandali me sigurimet, mbyllet ordinanca në Vushtrri

Kosova

Skandali me sigurimet, mbyllet ordinanca në Vushtrri

Më: 28 prill 2017 Në ora: 15:23
Ilustrim

Ordinanca “Shëndeti-Po” në Vushtrri, sipas dyshimeve të policisë, ka lëshuar raporte fiktive mjekësore për disa kosovarë që jetojnë në Holandë me qëllim të përfitimit nga fondet e sigurimit shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë i ka revokuar licencën kësaj ordinance derisa rasti po hetohet bashkë me policinë.

Autoritetet holandeze kanë zbuluar një skandal të një ordinance private kosovare. “Shëndeti-Po”, një institucion privat shëndetësor në Vushtrri, të cilit i është revokuar licenca nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, me pronar teknikun mjekësor Ismail Sadiku, dyshohet se ka lëshuar raporte fiktive mjekësore për disa kosovarë që jetojnë të Holandë. Të njëjtit, kanë prezantuar dokumentacionin në fondin holandez të sigurimit që të rimbursoheshin për “shpenzimet e bëra” gjatë mjekimit sa kanë qëndruar në Kosovë.

Por, faturat ishin aq të fryra sa që menjëherë kanë lindur dyshimet dhe është alarmuar Ministria e Shëndetësisë së Kosovës se bëhej fjalë për manipulime. Rasti iu ka kaluar tashmë autoriteteve shëndetësore të Kosovës, por edhe hetuesisë.

Ndërkohë, në Inspektoratin Shëndetësor konfirmojnë se kanë pranuar kërkesë nga një kompani e sigurimeve shëndetësore në Holandë, në lidhje me raportet mjekësore të lëshuara nga Institucioni Privat Shëndetësor në Vushtrri.

Fillimisht faturat ishin lëshuar në emër të institucionit privat “Shëndeti”. “Pas shqyrtimit të dhënave dhe hulumtimeve të shumta të rastit, Inspektorati Shëndetësor ka lëshuar një raport inspektimi në të cilin ceket se institucioni i përmendur nuk figuron në listën e institucioneve shëndetësore private të licencuara në Kosovë”, ka thënë Ardita Baraku, Kryeinspektore në Inspektoratin Shëndetësor.

Baraku ka shtuar se ky institucion fizikisht nuk ka mundur të lokalizohet e as të inspektohet. “Dy nga punëtorët e përmendur kanë mohuar të jenë të involvuar në atë institucion përderisa punëtori i tretë nuk është gjetur në të dhënat e profesionistëve shëndetësor”, ka thënë ajo.

E para e inspektoratit shëndetësor, ka thënë se për shkak të gjetjeve, dhe disa parregullsive të dyshuara në ato raporte mjekësore të lëshuara nga ai institucion, është kërkuar edhe asistenca e policisë në zgjidhje të rastit.

“Për më tepër, nga e njëjta kompani e sigurimeve holandeze, është përcjellë dokumentacion shtesë në lidhje me tjetër institucion shëndetësor privat në Vushtrri (Shëndet-Po), ku gjatë inspektimit (me policinë) janë identifikuar parregullsi në funksionim të atij institucioni, por edhe janë ngritur dyshime për bashkëpunim me institucionin e parë të përmendur (Shëndeti)”, ka thënë kryeinspektorja shëndetësore, Ardita Baraku.

Ajo ka thënë se më shumë të dhëna mund të ofrojnë pasi që të hartojnë raportin zyrtar për këtë institucion.

Edhe Policia e Kosovës është duke e hetuar rastin. “Mund të konfirmojmë se ky rast është duke u hetuar nga drejtoria kompetente brenda Policisë së Kosovës”, thuhet në një përgjigje të shkurtër të dërguar përmes e-mailit nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat