100 vëzhgues nga BE do të monitorojnë zgjedhjet në Kosovë

Kosova

100 vëzhgues nga BE do të monitorojnë zgjedhjet në Kosovë

Më: 17 maj 2017 Në ora: 20:14
Mbledhja e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot miratoi Memorandumin e Mirëkuptimit që do të nënshkruhet ndërmjet KQZ-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, për vëzhgimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 11 qershor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, njoftoi se do të jenë 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian që do të përcjellin procesin zgjedhor në Kosovë.

Daka: Do të jenë 100 vëzhgues

“Unë sot nga zonja Apostolova morra konfirmimin se do të jenë 100 vëzhgues të cilët do të zbarkojnë të shtunën besoj në Kosovë dhe kishte me qenë shumë mirë që ky momerandum të nënshkruhet para ardhjes së tyre, sepse vetëm me nënshkrimin e momerandumit do të mund që ata të fillojnë faktikisht vëzhgimin tërë procesit që nga ajo ditë”, tha ajo.

Betim Gjoshi, anëtarë i KQZ-së, tha se e gëzon fakti që BE-ja ka shprehur gatishmërinë t’i përgjigjet ftesës së tyre për vëzhgim të zgjedhjeve.

Gjoshi: BE ka shprehur gatishmërinë me ju përgjigj ftesës tonë

“Më gëzon fakti që BE ka shprehur gatishmërinë me ju përgjigj ftesës tonë për vëzhgim të zgjedhjeve. Ju siç e dini unë qysh në mbledhjen e parë, ditën që janë shpallur zgjedhjet kam kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë prezent si vëzhgues afatgjatë në këtë rast i procesit zgjedhor në Kosovë dhe mbështesë këtë Memorandum Mirëkuptimi sepse për ne është shumë e rëndësishme që të shtohet integriteti i procesit zgjedhorë”, tha ai.

Në këtë mbledhje, kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së bëri të ditur aktivitetet që janë duke u ndërmarrë në përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme. Po ashtu, ai njoftoi KQZ-në se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i krijimit të Listës Votuese e cila bazohet në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat