Asfaltohet segmenti i parë i rrugës në Gllobçicë me kufirin e Shqipërisë

Kosova

Asfaltohet segmenti i parë i rrugës në Gllobçicë me kufirin e Shqipërisë

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 17:22
Inaugurimi i pjesës së parë të kësaj rruge në Glloboçicë në kufirin e Republikës së Shqipërisë

Fshati Borje në Bashkinë e Kukësit prej vitesh vuan nga infrastruktura e dobët rrugore që e lidh atë me fshatin e Glloboçisës të Komunës së Dragashit.

Falë kontributit të Qeverisë në detyrë në Kosovë dje u bë inaugurimi i pjesës së parë të kësaj rruge në Glloboçicë në kufirin e Republikës së Shqipërisë 1.5km të gjatë me vlerë investimi 220 mijë euro.

Së shpejti edhe pala shqiptare do të përfundojë segmentin Borje në kufirin e Republikës së Kosovës 2.6 km, ka bërë të ditur njoftimi nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.

Në ceremoninë e rastit morën pjesë banorë të të dy anëve të kufirit, ministri në detyrë i Infrastrukturës së Kosovës, Lutfi Zharku,  ambasadori i Shqipërisë në Kosovë,  Qemal Minxhozi si dhe kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jonuzi.

“Kam një kënaqësi të posaçme që jemi të gjithë së bashku në inaugurimin e kësaj rruge e cila përkundër asaj që dikujt i duket një çmim i vogël, kjo ka rendësi të madhe posaçërisht për këta banorë dhe lidhjen e dy vendeve tona vëllazërore”, tha Zharku.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi  e ka cilësuar asfaltimin e kësaj traseje  si shumë  të rendëishëm për bashkëpunimin ndërkufitar.

‘Kjo trase është shumë e rëndësishme për të bërë projekte bashkëpunimi ndërkufitar midis Komunës së Dragashit, fshatit Borjes dhe me gjerë. Unë jam shumë i lumtur që arritëm pas dy vitesh përpjekje të realizojmë këtë vepër që ka një rendësi të jashtëzakonshme për zhvillim, prosperitet”, tha Minixhozi.

Prezent në këtë ceremoni ishte deputeti i Parlamentit shqiptar Namik Dokle, i cili tha se ky projekt edhepse në dukje i vogël, është  shumë i rëndësishëm për banorët e të dyja vendeve.

“Një falënderim shumë të përzemërt shumë të sinqertë,  për Qeverinë e Kosovës për ministrin në mënyrë të veçantë, për kryetarin, por natyrisht edhe për ambasadorin që është përpjekur për ta realizuar këtë projekt. Në dukje është projekt i vogël por për popull është shumë shumë i rëndësishëm”, tha  Dokle.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat