18 vjet pas luftës nuk di asgjë për fatin e babait

Kosova

18 vjet pas luftës nuk di asgjë për fatin e babait

Më: 12 gusht 2017 Në ora: 23:13
ilustrim

Familja Luzhnica nga Fushë-Kosova, 18 vjet pas luftës, jeton me brengën se ku gjenden eshtrat e familjarit të tyre i cili u zhduk në pranverën e vitit 1999.

Ata thonë se pas një kohe humbën shpresën se familjari i tyre është gjallë por shtojnë se gjetja e eshtrave të tij do t`ua lehtësonte gjysmën e dhembjeve që kanë.

Lumni Luzhnica nga Fushë Kosova, ende i ka të freskëta kujtimet dhe zërin e babait të tij, Azemit, të cilin e dëgjoi për herë të fundit më 28 mars të vitit 1999. Kanë kaluar më shumë se 18 vjet dhe Lumniu po jeton me brengën se ku gjenden eshtrat e babait të tij, i zhdukur në pranverën e vitit 99-të. Ai thotë se sipas fqinjëve, babai i tij u mor nga forcat serbe në kohën e luftës dhe nuk u gjet më.

Dita kur për herë të fundit e kishte parë babain e tij, nuk i hiqet nga mendja as tani. Lumniu thotë se nga paslufta i ka ndodhur shpesh që fytyra e babait të tij t`i ngjajë në shumë persona nga larg por që e vërteta e zhdukjes së tij ende mbetet mister.

Lumniu thotë se më nuk ka shpresë se babai i tij është ende gjallë, ndonëse gjetja e eshtrave të tij do t`ia lehtësonte gjysmën e dhembjeve që ka.

Ai thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë shumë rreth të pagjeturve dhe se ende kjo çështje nuk është prioritet i tyre. Që nga lufta e fundit në Kosovë mbi 1600 persona ende figurojnë të zhdukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat