Seminari i Gjuhës Shqipe mbledh albanologët nga e gjithë bota

Kosova

Seminari i Gjuhës Shqipe mbledh albanologët nga e gjithë bota

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 12:17
Seminari

(E plotësuar) - Sot ka nisur punimet Seminari i 36-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku të pranishëm ishin përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

Drejtori i seminarit, Rrahman Paçarizi ka thënë se sivjet kanë shënuar numër rekord të kërkesave për pjesëmarrje në kurset e mësimit të shqipes.

Sipas tij, momenti i ri është interesimi i brezit të dytë e të tretë të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova e Shqipëria për ta mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre, me ç’rast është shprehur se fatkeqësisht nuk ka kapacitete për të mjaftueshme për t’iu dalë zot këtyre kërkesave.

Paçarizi: Ju ftojmë ta mësoni letërsinë shqipe dhe ta mësoni kulturën shqipe

"Ne jemi institucioni më i madh dhe me traditën më të gjatë në studimet albanologjike. Synojmë të mbetemi të tillë. Këtë nuk mund ta bëjmë pa mbështetjen e seminaristëve dhe studiuesve joshqiptarë, të cilët na kanë mbështetë publikisht. Dhe, sivjet ka pasur një numër rekord të  paraqitur për ta mësuar shqipen, më shumë se 170 – mbështetje më e madhe nuk na duhet. Ju ftojmë ta mësoni letërsinë shqipe dhe ta mësoni kulturën shqipe", tha ai.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë se do të përpiqen që së bashku me Republikën e Shqipërisë që ta krijojnë një linjë të veçantë buxhetore për seminarin, duke e shndërruar kështu në ngjarje shtetërore.

Bajrami: Ky seminar do të ndikojë në internacionalizimin e albanologjisë

"Është obligim kombëtar i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për të mbështetur këta studiues dhe për të mbështetur studimet e albanologjisë, studime shumë të rëndësishme, me interes të veçantë publik për ruajtjen e traditës së gjuhës shqipe kudo që jetojnë shqiptarët. Ky seminar do të ndikojë në internacionalizimin e albanologjisë", tha ai.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik, theksoi se ky fakultet, si organizatori më i madh i këtij seminari, do të vazhdojë të frymojë me produktin e tij më cilësor dhe më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht.

Rugova: Dhjetëra studentë dhe profesorë i kemi shkëmbyer falë këtij seminari

"Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të avancimit të dijes,  në kërkim të forcimit të bashkëpunimit akademik dhe në kërkim të promovimit vlerave tona në botë. Një tubim i lartë shkencor dhe edukativ, që ka arritur të zhvillohet në një institucion të lartë shkencor me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe kulturës, në zbërthimin dhe gërshetimin e kulturave të ndryshme me shqipen. Falë miqve tanë seminaristë, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet gjithandej në botë. Dhjetëra studentë dhe profesorë i kemi shkëmbyer sivjet falë këtij seminari", tha Rugova.

Ndryshe, punimet e këtij seminari do të mbahen nga sot e deri më 25 gusht, ndërsa ato do të zhvillohen përgjatë tri sesioneve, atë të gjuhës, letërsisë dhe kulturologjisë.

***

Drejtori i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paçarizi, tha se e veçanta e këtij viti është se ka pasur një interesim të madh të brezave të mërgatës për të qenë pjesë e seminarit.

Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së seminarit 36 për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku ishin të pranishëm përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

Paçarizi është shprehur se fatkeqësisht nuk ka kapacitet për të përmbushur kërkesat e gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e programit.

"Ju ftojmë ta mësoni letërsinë shqipe dhe ta mësoni kulturën shqipe", u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami është shprehur se është obligim i Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që të përkrahin albanologët.

“Ky seminar do të ndikojë në internacionalizimin e albanologjisë”, tha ai.

Nita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik, u shpreh se e tërë Prishtina i gëzohet ardhjes së seminaristëve të huaj.

“Ky seminar është një rrugëtim i vështirë në kërkim të zhvillimit akademik, një tubim i lartë shoqëror që ka arritur të bëhet institucion. Dhjetëra studentë i kemi shkëmbyer falë këtij seminari", tha ajo.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.  Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e pesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat