Manastiri i Deçanit refuzon të paguajë për shfrytëzimin e ujit!

Kosova

Manastiri i Deçanit refuzon të paguajë për shfrytëzimin e ujit!

Nga: Adem Lushaj Më: 16 gusht 2017 Në ora: 11:14
Deçan

Shfrytëzimi i ujit për ujitje nga ekonomitë familjare apo edhe institucionet, bazuar në Ligjin për Rregullimin e shërbimeve të ujit, duhet edhe të kompensohet sipas tarifave të parapara me Ligjin në fjalë. Mirëpo, një gjë të tillë nuk e bën, edhe institucioni fetar i Deçanit (Manastiri), me arsyetimin, kinse janë të liruar nga çdo pagesë për ujitje. Sipas, LIGJIT PËR RREGULLIMIN E SHËRBIMEVE TË UJIT, Nr. 05/L -042, përkatësisht, Neni 20, Paragraf 5, thuhet: "Objektet e kultit lirohen nga pagesa për shërbimet e ujit, në këtë lirim nuk përfshihen objektet përcjellëse administrative dhe fitimprurëse".

Refuzimin për të paguar për shfrytëzimin e ujit nga Manastiri i Deçanit, e konfirmon edhe Beqë Hadërxhonaj, Kryetar i Bordit të “Lumit të Bardhë” në Pejë, që sipas tij, “do ndjekë çdo rrugë ligjore ndaj këtij veprimi të këtij institucioni fetar”. Hadërxhonaj thotë se, Ligji në fjalë është i qartë, por Ata, nuk donë të respektojnë këtë, gjë që Kompania pëson humbje financiare, por edhe krijohen telashe në plotësim të kërkesave të bujqve deçanas. “Zyrtarët tanë kanë kërkuar sqarime nga personeli i Manastirit, edhe për mos pagesë, por edhe të shfrytëzimit të ujit pa paralajmërim dhe pa konsultim me kompaninë përgjegjëse”, ka treguar Hadërxhonaj, sipas të cilit çdonjëri është i barabartë para Ligjit dhe përgjegjësive ligjore.

Një veprim i tillë i Manastirit, ka irrituar edhe bujqit, ngase të mbjellat e tyre nuk kanë mundësi për ujitje, përkundër gatishmërisë për të paguar sa herë që të bëhet shfrytëzimi i tij. “Në bazë të kësaj, ujitja e tokave bujqësore nga personeli i Manastirit dhe refuzimi i tyre për të paguar, është në kundërshtim me Ligjin”, shprehët historiani Selim Lokaj, sipas të cilit “nuk duhet lejuar favore për dike, e ndëshkime për të tjerët”. Gjithnjë sipas tij, përderisa, "njerëzit e zotit" keqpërdorin, bujqit e Deçanit vuajnë për mungesë të ujit, edhe pse janë të gatshëm të paguajnë për shfrytëzimin e tij. “Nëse nuk merren masa institucionale, bujqit do reagojnë në mënyra tjera ndaj parregullsive ligjore dhe kësaj që veprojnë klerikët e këtij manastiri”, ka nënvizuar Lokaj, duke sqaruar se, Insistimi i zyrtarëve të "Lumit të Bardhë" në Deçan, është për tu përshëndetur, ngase kërkojnë respektim të Ligjit, por edhe shfrytëzim të drejtë të ujit për ujitje të pronave bujqësore. “Ata (Lumi i Bardhë), janë duke pasur humbje si kompani vet financuese, ndaj shqetësimi i tyre është edhe më i arsyeshëm për këtë veprim të këtij institucioni i përgdhelur nga vendorët e ndërkombëtarët”, është shprehur Lokaj, duke thënë se favoret që po iu bëhen këtij institucioni fetar, është duke u vuajtur qytetari i Deçanit.

Hadërxhonaj dhe Lokaj, kërkojnë nga personeli i këtij Manastiri, që të respektojnë institucionet dhe Ligjet e Kosovës, mos të pengojnë zhvillimin e bujqësisë dhe nxitjen e bujqve me këto veprime të dëmshme dhe kundër ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat