Stigmën mund ta luftojnë më së miri viktimat e dhunës seksuale

Kosova

Stigmën mund ta luftojnë më së miri viktimat e dhunës seksuale

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 12:18
Ilustrim

Stigmatizimi i viktimave të dhunës seksuale në Kosovë pengon hetimin e krimeve dhe krijon mundësinë që akte të njëjta të përsëriten në të ardhmen qoftë në Kosovë apo diku në botë, por stigmatizimin mund ta luftojnë më së miri vetë viktimat e dhunës seksuale.

Këto konkludime kanë dalë nga punëtoria e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës/QKRMT, në partneritet me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, me temën “Adresimi i stigmës që rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, tha se askush nuk mund të luftojë stigmën më mirë se vet viktimat e dhunës seksuale, sepse askush më mirë se ata  nuk e kupton këtë dhimbje.

O’Connell: Stigma pengon hetimin e krimit

“Të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk është e turpshme, nuk prek nderin e askujt, nuk është faj, nuk është diçka për të kritikuar, atij që duhet t’i vijë turp është ai që ka kryer këtë akt. Nëse dëshironi shoqëri të shëndoshë ky fakt duhet të kuptohet plotësisht në shoqëri dhe stigma duhet të zhduket plotësisht. Por, kjo luftë nuk është e rëndësishme vetëm për Kosovën, por për tërë botën, është e rëndësishme edhe për ne në Britani. Kultura e stigmës krijon ide plotësisht të gabuar që viktimat e krimit kanë një pikë faji për atë që ka ndodhur, kjo falë kriminelëve që kanë kryer atë akt. Stigma pengon hetimin e krimit, stigma pengon edhe më e rëndësishmja që krijon mundësinë që akte të njëjta të përsëriten në të ardhmen, ose në Kosovë ose diku në botë”, tha O’Conell.

Ndërsa, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se qasja gjithëpërfshirëse është shumë e nevojshme për të kuptuar problemet e barrierat me të cilat ballafaqohen të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe për të identifikuar mundësitë që këto viktima të gëzojnë të drejtat që atyre u takojnë me ligj.

Jahjaga tha se nga lufta e fundit në Kosovë vlerësohet se nga forcat serbe janë dhunuar mbi 20 mijë gra dhe burra dhe se me vite të tëra janë heshtur krimet që iu kanë ndodhur këtyre burrave dhe grave.

Ish-presidentja e Kosovës pati kritika për institucionet përgjegjëse që sipas saj po çalojnë për zbatimin praktik të të drejtave që iu kanë dhënë viktimave të dhunës seksuale gjatë mandatit të saj si presidente.

Jahjaga: Komisioni nuk po operon me dinamikën të cilën ne kemi shpresuar

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i dha një shtytje pozitive këtij procesi duke vënë në jetë Komisionin Qeveritar për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Por, Komisioni fatkeqësisht nuk po operon me dinamikën të cilën ne kemi shpresuar se do ta ketë për këtë vit të fundit. Komisioni ka paralajmëruar nisjen e një fushate vetëdijësuese në vjeshtën e këtij viti për të informuar të gjitha viktimat rreth procesit të aplikimit. Uroj që sa më shpejt të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme që të nis ky proces dhe që të trajtohen të gjitha aplikimet ashtu siç është paraparë me konfidencialitetin e plotë”, theksoi ajo.

Kurse, shefja e EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, tha se misioni i EULEX-it mbetet i përkushtuar të ndjek të gjitha krimet e dhunës seksuale që lidhen me kohën e konflikteve.

Papadopoulou: EULEX mbetet i përkushtuar të ndjek të gjitha krimet e dhunës

“EULEX-i mbetet i përkushtuar që të hetojë dhe të ndjek të gjithë krimet e dhunës seksuale që lidhen me konfliktin dhe duhet të kuptojmë që dhuna dhe krimet e dhunës në kohën e konflikteve është shumë e vështirë që të hetohet, mirëpo, ka një nivel shumë të lartë të mos interesimit që të zbardhen këto raste. Por, sfidat në këto hetime janë të mëdha, EULEX ka gjykuar disa raste, mirëpo ka theksuar që një barrierë shtesë që i shtohet Kosovës është që keqbërësit që janë në mungesë nuk mund të ju identifikohet adresat e tyre. Për këtë arsye nuk mund të ndiqen shumë raste duhet të mbyllen dhe të presin ndryshimet për tu rihapur më vonë”, tha shefja e EULEX-it.

Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës, Feride Rushiti, tha se qëllimi i kësaj punëtorie ka të bëjë me një analizë të thellë të të gjithë barrierave që ndikojnë në stigmatizimin e viktimave të dhunës seksuale.

Rushiti: Vuajtjet shtohen nga paragjykimet nga shoqëria

“Thuhet se stigma vret, vret për faktin se shumica prej këtyre viktimave përveç tmerrit dhe vuajtjeve që i kanë përjetuar gjatë luftës, vuajtjet e tyre shtoheshin duke qenë të anashkaluara dhe të paragjykuara nga vetë shoqëria dhe familja. Për më shumë, 15 vite me radhë të harruara edhe nga qeveria. Ku janë tani këto të mbijetuara me çfarë ballafaqohen, e tërë kjo heshtje dhe mungesë e shqetësimit për tu ballafaquar me të kaluarën ka bërë që viktimat edhe më tej të stigmatizohen, të fajësohen, që dhunuesit të mbesin të lirë dhe të mos ndëshkohen”, tha Rushiti.

Punëtoria për adresimin e stigmës që rrethon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë do të vazhdoj edhe ditën e nesërme, ku do të diskutohet për resurset e nevojshme dhe afatet kohore për ndërmarrjen e masave dhe adresimin e stigmës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat