Drejtori i Arsimit në Kamenicë punëson veten në shkollë të mesme pa konkurs

Kosova

Drejtori i Arsimit në Kamenicë punëson veten në shkollë të mesme pa konkurs

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 21:57
Ditari

12 orë i ishin shënuar drejtorit Komunal të Arsimit në Kamenicë, Agim Shkodra, në orarin e fillestar për vitin e ri shkollor në shkollën e Mesme të Lartë Profesionale “Andrea Durrsaku”.

Sipas këtij orari, pos të qenit drejtor komunal, në të njëjtën kohë ai u punësua edhe si mësimdhënës.

Opozita në këtë komunë e akuzon atë se është vetëpunësuar pa konkurs në prag të zgjedhjeve lokale, për t’ia siguruar vetes një vend të mirë pune.

Por, Shkodra, i cili punën e orarit e kishte diskutuar në “Facebook”, pretendon se nuk e di se si emri i tij përfundoi në të. Tutje ai ka kontestuar vërtetësinë e orarit.

Ndërsa ka shtuar se nuk e ka mbajtur asnjë orë, pasi sipas tij, aktualisht është i punësuar vetëm si drejtor në komunë.

Por, version tjetër për përfshirjen e Shkodrës në orar ka drejtori i shkollës “Andrea Durrsaku”, Qamil Qehaja. Ai ka thënë se orët e parapara për Shkodrën tash u janë ndarë dy profesorëve të tjerë të Kimisë, që kanë ardhur për ta plotësuar normën.

Ndërsa, në orarin e ri nuk figuron emri i drejtorit Shkodra. Por ndryshimet në të, sipas opozitarëve, janë tentim për fshehjen e shkeljes së ligjit.

Nga ky vit, për herë të parë në këtë shkollë nxënësit do të vijojnë mësimin në drejtimin e ri Kimi-Teknologji.

Klasa 10/7 është gjenerata e parë e këtij drejtimi, me të cilën në orarin fillestar drejtorit komunal i ishin ndarë më së shumti orë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat