Lladrovci: Fjalët e hallkut dhe birat e gardhit nuk mshelen kurrë

Kosova

Lladrovci: Fjalët e hallkut dhe birat e gardhit nuk mshelen kurrë

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 12:32
Ramiz Lladrovci

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili është sërish kandidat për kryetar në zgjedhjet që do të mbahen më 22 tetor, thotë se gjatë këtyre muajve sa e ka udhëhequr Drenasin, ka dëshmuar se e meriton ta udhëheq sërish këtë komunë, pasi që ka bërë punë të mëdha.

Ai në një intervistë për KosovaPress, thotë se për nominimin e tij për kryetar komune, ka vendosur kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ndërsa thotë se për këta muaj sa ka qeverisur me Drenasin, jo që i ka përmbushur të gjitha premtimet, por dhe i ka tejkaluar ato.

Lladrovci: E kam dëshmu që e meritoj të jem kryetar i Drenasit

“Arsye pse duhet të më votojnë dhe njëherë qytetarët e komunës së Drenasit,  është sepse për tetë muaj rresht, kam punuar ditë e natë për qytetarët e Drenasit. Të gjitha projektet që i ka votuar Asambleja e komunës së Drenasit në shtatorin e vitit 2016, për projektet e 2017-tës, unë i kam përfunduar ...... kam ngrit disiplinën në komunë, e kam ngrit disiplinën në shkollat tona, e kam ngrit disiplinën në shëndetësi, në të gjithë sektorët e jetës në komunën e Drenasit, kështu që unë kam qenë në shërbim të qytetarëve të Drenasit dhe kam dëshmuar se unë e meritoj të jem kryetar i komunës së Drenasit, sepse e qoj zhvillimin ekonomik të Drenasit më shpejtë...Unë i kam realizuar premtimet dhe i kam tejkaluar premtimet”, tha Lladrovci.

Edhe pse kishte premtuar se të gjithë ata zyrtarë të komunës, të cilët nuk vijnë me kohë në punë do të largohen, Lladrovci thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi që të gjithë kanë respektuar orarin e tyre të punës.

Lladrovci: Nëse nuk e respektojnë orarin e punës i qoj te shpija

“Nuk kam pas nevojë me marrë masa ndaj zyrtarëve sepse zyrtarët e kanë respektuar orarin 8 me 4, me pushim nga ora 12 në 1. Qytetari e ka prek edhe këtë segment, sepse shërbimet që i ka marrë nga komuna, në rast se është dashur një shërbim me marrë për dy tre ditë apo dy tre javë, tash me mua e kanë marrë për dy, tre minuta ose dy tre orë, në rast se një shërbim është dashur me i marrë kohë dy javë. Kështu me të njëjtit njerëz, me të njëjtit zyrtar po punoj dhe ata janë të disiplinuar dhe e ruajnë vendin e punës. Në rast se zyrtarët nuk e respektojnë orarin e punës, ka masa që merren vërejtja me gojë, me shkrim, deri te kur e plotëson kushtin me shkarku dhe me dërgu te shpija”, tha ai.

E sa i përket shkarkimit të disa drejtorëve të shkollave në komunën e Drenasit, për të cilët është raportuar, kryetari i komunës  thotë se ata nuk janë shkarkuar nga detyra, por nuk u është vazhduar kontrata, për shkak të performansës së tyre.

Lladrovci: S’do të lejojë që  të jenë drejtorë më shumë se tetë vjet

“Nuk do të lejojë asnjë drejtor të mbajë poste mbi tetë vjet, ose mbi dy mandate nga katër vjet dhe unë vet nuk do t’i kërkoj në rast se do t’i fitoj zgjedhjet dy herë pa e llogarit këtë mandatin e mbetur prej 8 ose 9 muaj. Nuk do të kërkoj më shumë se dy mandate të jem kryetar sepse ose do të jap mjaftueshëm për qytetarët për dy mandate, ose s’do të jap më kurrë”, tha ai.

Lladrovci në këtë intervistë thotë se pakënaqësitë që disa nga zyrtarët e PDK-së kanë shprehur  lidhur me rikanidimin e tij për kryetar të komunës, nuk do të ndikojë në votat e qytetarëve.

Lladrovci: Jam nda nga ata që bëjnë punë të këqija

“E para punë është që në parti ka njerëz që kanë ambicie edhe në PDK, por dhe në degën e Drenasit ka pasur njerëz që kanë pasur ambicie. Sipas statutit dhe programit të PDK-së, kandidatin e cakton kryetari i PDK-së dhe mua më ka nominuar Kadri Veseli, që është kryetar i PDK-së dhe nuk mund të ketë asnjë problem në votim, sepse ata votues të PDK-së, por dhe qytetarët tjerë që e kanë parë, e kanë prek punën dhe dorën time pa hamendje, do të më votojnë për mandatin e  ardhshëm, mandatin e plotë katër vjeçar...Jam mëse i sigurtë, jam 100 për qind i sigurte se qytetari, e ka pa si jam nda nga ata që bëjnë punë të këqija dhe jam bashku me ata që bëjnë punë të mira, për qytetarin”, tha Lladrovci.

Ai thotë se nuk e ka humbur përkrahjen e administratës, por ka humbur ndoshta përkrahjen e atyre që janë mësuar që tërë ditën të rrinë në kafene dhe jo në punë.

Lladrovci: Ata që rrinë kafeve, mund të mos jenë të kënaqur me mua

“Çka flitet, ‘ fjalët e hallkut dhe birat e gardhit nuk mshelen kurrë’. Ju mund të hyni dhe t’i pyetni në administratë dhe ta shihni që janë shumë të lumtur me punën time dhe punën e tyre, se për atë punë paguhen ata. Mund të ketë ndonjë zyrtarë i cili nuk ka ardhur kurrë në punë, ka nejt gjithë ditën nëpër kafenet e Drenasit. Besa e ka harxhu dhe pagën që e ka marrë pa ardh në punë dhe ai mund të mos jetë i kënaqur, por s’më bën gjë ajo punë, sepse gjithmonë ka njerëz që janë të kënaqur me mua që janë shumicë, dhe ka njerëz që nuk janë të kënaqur me mu, sepse unë po e zbatoj rendin dhe ligjin dhe po i kryej të gjitha projektet kapitale”, tha ai.

Ndërsa kundër kandidatët e tij Lladrovci nuk i sheh si rrezik për të, pasi që thotë se ata nuk e kanë guximin dhe as vullnetin që të punojnë si ai.

Lladrovci: Kundërkandidatët s’kanë  guxim

“Në demokraci pra njerëzit kanë të drejtë me konkurru. Asnjë kandidat që është konkurrent për mua nuk e shoh pretendent, sepse nuk kanë ndonjë ‘background’ mbrapa tyre, që ata munden me qenë pretendentë të mij,  dhe nuk kanë as vullnet, as guxim me i kryer punët më mirë se sa i çoj unë përpara për komunën”, tha ai.

Ramiz Lladrovci vitin e kaluar kishte fituar në raundin e dytë për kryetar të Drenasit pasi që në këtë komunë ishin mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dënimit të ish-kryetarit Nexhat Demaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat